Amnesty International (Foto Atsh)
“Amnesty International” bëri të ditur se fushata ushtarake e Izraelit përgjatë perimetrit lindor të Rripit të Gazës së pushtuar duhet të hetohet si krime lufte.
“Ushtria izraelite ka shkatërruar në mënyrë të paligjshme toka bujqësore dhe ndërtesa civile dhe ka rrafshuar lagje të tëra, ndërsa zgjeroi një zonë tampon”,- bëri të ditur grupi për të drejtat e njeriut, citon “ATSH”.
“Amnesty International”, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare e fokusuar në të drejtat e njeriut, me qendër në Londër, analizoi imazhet satelitore dhe videot e postuara nga ushtarët izraelitë në mediat sociale midis tetorit 2023 dhe majit 2024.
““AI” zbuloi një model në përputhje me shkatërrimin sistematik të një zone të tërë. Fushata e rrënimit të ushtrisë izraelite në Gaza është një shkatërrim i pakujdesshëm. Hulumtimi ynë ka treguar se si forcat izraelite kanë shkatërruar ndërtesat e banimit, kanë detyruar mijëra familje të largohen nga shtëpitë e tyre dhe e kanë bërë tokën e tyre të pabanueshme. Krijimi i asnjë “zone tampon” nuk duhet të jetë ndëshkimi kolektiv i civilëve palestinezë”,- deklaroi drejtoresha e lartë e “Amnesty”, Erika Guevara-Rosas.
Sipas saj, masat e Izraelit për të mbrojtur izraelitët nga sulmet duhet të kryhen në përputhje me detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë ndalimin e shkatërrimit të qëllimshëm dhe të ndëshkimit kolektiv.
Ushtria izraelite e justifikon prishjen e ndërtesave në Rripin e Gazës, ndër të tjera, me shkatërrimin e tuneleve dhe infrastrukturën terroriste të përdorur nga organizata islamike palestineze Hamas. (Irma)