Foto nga ATSH
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, priti në kryesinë e Kuvendit ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato. Kryeparlamentarja Spiropali vlerësoi ndihmën e Delegacionit të BE-së në përshpejtimin e procesit të integrimit europian dhe theksoi prioritetin e Kuvendit në udhëheqjen e këtij procesi, shkruan “ATSH”.
Ajo theksoi se, Kuvendi, si garantues i legjitimitetit demokratik, ka marrë një rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit të ri që rregullon rolin e Parlamentit në procesin e integrimit, duke forcuar mbikëqyrjen e institucioneve të përfshira në këtë proces.
Spiropali shprehu gjithashtu disa nga prioritetet e sesionit të ri parlamentar, duke përfshirë mbështetjen për dialogun politik ndërmjet grupeve parlamentare për reforma, mbështetjen për institucione të pavarura si mbrojtës të interesit publik, luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, mbështetjen për komisionet hetimore dhe të posaçme, dhe modernizimin e shërbimeve parlamentare për të ndihmuar deputetët.
Ambasadori Gonzato theksoi përparimet e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe nënvizoi angazhimin e Delegacionit të BE-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë.
Ai nënvizoi rëndësinë e angazhimit gjithëpërfshirës në procesin e integrimit europian, si një mjet për transformimin e shoqërisë shqiptare.
Në një reagim në rrjetet sociale, ambasadori Gonzato u shpreh se në takim u ra dakord për rëndësinë e aftësimit të Parlamentit për të luajtur plotësisht rolin e tij në procesin e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe për të siguruar konsensus të fortë në të gjithë spektrin politik rreth tij.
“Ne gjithashtu ramë dakord se na duhet një parlament efikas dhe transparent, i hapur për qytetarët e tij, i aftë për të kryer reformat e nevojshme dhe efektiv në ushtrimin e mbikëqyrjes mbi ekzekutivin”, u shpreh Gonzato.
Në këtë kontekst, theksoi ai, BE-ja do të vazhdojë të angazhohet me Këshillin Kombëtar për Integrimin Evropian, Komisionin për Çështjet e BE-së dhe ne do të shtojmë bashkëpunimin tonë teknik me Kuvendin.
Gonzato konfirmoi gjithashtu se BE-ja do të angazhohet me komisionet e posaçme parlamentare për thellimin e reformave për qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, si dhe për luftimin e dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në procesin demokratik, me synimin për të siguruar koherencë e plotë me angazhimet të Shqipërisë për anëtarësim në BE. (Irma)