Forumi i Bashkëpunimit Kinë-Afrikë dhe ekonomia botërore
2024-09-06 09:51:28

Samiti i Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë (Foto CMG)

Samiti i Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë (Foto CMG)

Nga 4-6 shtator u mbajt në Pekin Samiti i Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë për vitin 2024.  Forumi për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë është një strukturë e rëndësishme zyrtare midis Republikës Popullore të Kinës dhe të gjitha shteteve në Afrikë, e themeluar në vitin 1999. Forumi  përfaqëson mekanizmin parësor shumëpalësh të koordinimit dhe bashkëpunimit midis vendeve afrikane dhe Kinës.

Duke qenë platforma më gjithëpërfshirëse që promovon marrëdhëniet Kinë-Afrikë, që nga zhvillimi i takimit të parë në vitin 2000, aktiviteti ka synuar të lehtësojë dialogun kolektiv dhe bashkëpunimin praktik midis Kinës dhe Afrikës. Deri më sot, ka pasur tetë forume ministrore, duke përfshirë një samit të liderëve të vendeve afrikane dhe të Kinës në vitin 2006.

Forumi po ecën shumë mirë. Ai ka sjellë dhe ka potencialin të sjellë avantazhe të reja të shumta për të dyja palët. Në shumë fusha, partneriteti ka dhënë rezultate konkrete, që janë të dobishme sidomos për Afrikën.

Samiti i bashkëpunimit Kinë-Afrikë këtë shtator po zhvillon katër takime të nivelit të lartë mbi qeverisjen shtetërore, industrializimin dhe modernizimin bujqësor , paqen dhe sigurinë, si dhe bashkëpunimin cilësor nën nismën “Një brez, një rrugë”.

Në Forum, udhëheqësit e Kinës dhe Afrikës janë mbledhur rreth temës "Të bashkojmë duart, për të avancuar modernizimin dhe për të ndërtuar një komunitet të nivelit të lartë Kinë-Afrikë, me një të ardhme të përbashkët", duke festuar miqësinë dhe duke përcaktuar rrugën përpara për bashkëpunim.

Në Samit po zhvillohet edhe Konferenca e sipërmarrësve kinezë dhe afrikanë. Palet ne Forum po koordinojnë nismën “Një Brez, Një Rrugë” dhe Nismën e Zhvillimit Global me Agjendën e Bashkimit Afrikan 2063 dhe strategjitë e zhvillimit të vendeve afrikane.

Foto:Xinhua

Liderë pjesëmarrës në Forumin dalin në një fotografi para samitit, 5 shtator 2024, Pekin(Foto nga Xinhua)

Kina dhe vendet afrikane po zbatojnë së bashku dhjetë plane bashkëpunimi, tetë nisma kryesore dhe nëntë programe në kuadrin e Samitit, duke vazhduar të nxisin përparimin e bashkëpunimit mes tyre.

Kina ka ruajtur pozicionin e partneres më të madhe tregtare të Afrikës për 15 vjet me radhë. Me nxitjen e zhvillimit të gjelbër, të inovacionit digjital etj., sipërmarrjet kineze kanë zbatuar një sërë projektesh të energjisë së pastër në Afrikë. Nga ana tjetër, eksportet e baterive të litiumit, të produkteve fotovoltaike etj. nga Kina në Afrikë janë shtuar dukshëm.

Ky Forum shënon një tjetër takim të nivelit më të lartë, pas Samitit të Pekinit 2006, Samitit të Johanesburgut 2015 dhe Samitit në Pekin të vitit 2018.

Vellimi tregtar i Kines me vendet e Afrikes i kaloi 282 miliarde USD ne vitin 2023, ne krahasim me vetem 67 miliarde USD te SHBA-ve. Kina është investitori më i madh në Afrikë, duke demonstruar qëndrueshmërinë dhe vitalitetin e fortë të bashkëpunimit Kinë-Afrikë.

Në bashkëpunimin për zhvillim, Kina dhe vendet afrikane kanë ndërtuar mbi 10 laboratorë të përbashkët ose qendra të përbashkëta kërkimore, duke zhvilluar studime të përbashkëta për gjurmimin e burimeve në largësi, energjinë e përtëritshme, ekobujqësinë etj.

Janë realizuar shumë projekte të infrastrukturës dhe të industrisë prodhuese, si porti Lekki i Nigerisë, autostrada e aeroportit ndërkombëtar të Najrobit në Kenia, centrali i energjisë fotovoltaike në Afrikën e Jugut, fabrika e pajisjeve elektro-shtëpiake në Egjipt, etj. Kina ka dërguar mbi 500 ekspertë bujqësorë në Afrikë dhe ka përgatitur rreth 9000 talente afrikane, për të mbështetur modernizimin bujqësor të kontinentit.

Këto projekte kanë ngritur bashkëpunimin Kinë-Afrikë përgjatë zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit. Egjipti lëshoi bondin e parë Panda në Afrikë. Përpjekje të tilla kanë pasuruar kanalet e financimit për bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik Kinë-Afrikë.

Kina do të zgjerojë hapjen institucionale ndaj Afrikës dhe do të thellojë bashkëpunimin industrial dhe të zinxhirit të furnizimit, me synimin për të promovuar integrimin ekonomik Kinë-Afrikë, zhvillimin e ndërlidhur dhe rezultatet e përbashkëta, duke përforcuar sinergjinë strategjike Kinë-Afrikë.


Prof.asc Klodian Muço në intervistë për CMG

Prof.asc Klodian Muço në intervistë për CMG

CMG: Profesor Muço, ju faleminderit për këtë intervistë. Samiti i nëndë i Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë, në vitin e 24-ërt të aktivitetit të tij, po mbahet në datat 4-6 shtator në Pekin, Kinë. Pse është i rëndësishëm për ekonominë botërore ky forum bashkëpunimi?

Prof.asc.dr Klodian Muço: I përmendët me të drejtë 24 vite bashkëpunim dhe çdo tre vjet zhvillohet një forum i nivelit të lartë. Kjo tregon relacionin afatgjatë që ekziston mes Kinës dhe Afrikës.

Afrika, një nga kontinentet më të varfëra, përsa i përket nivelit të mirëqënies, apo nivelit të të ardhurave për frymë, nëse do e marrim në kontekst si kontinent, në fakt përfaqëson një nga kontinentet më të pasura në botë, përsa i përket nëntokës dhe pasurive të saj.

Konkretisht, Afrika është një nga kontinentet më të pasura në minerale. 30 përqind e mineraleve që sot konsumohen në botë gjenden në Afrikë.

Në këto kushte, ajo që është vënë në periudhën afatgjatë, është që Evropa Perëndimore ka patur një tendencë tërheqjeje nga kontinenti afrikan, përsa i përket investimeve apo fokusit të saj strategjik.

Nga ana tjetër, ky mosshikim me shumë interes apo përparësi i Evropës ndaj vendeve afrikane është zëvendësuar nga Kina.

Kjo është shumë e rëndësishme për ekonominë globale. Kina është ekonomia e dytë më e madhe e planetit dhe investimet e saj në Afrikë janë të rëndësishme në nivel botëror, pasi gjenerojnë prodhim dhe shërbime në një pjesë të rëndësishme të botës.     

CMG: Ju përmendët zëvendësimin e pozicionit si investues në kontinentin afrikan dhe në fakt, për të 15-in vit rradhazi, Kina mban pozicionin e partnerit tregtar numër një për Afrikën, me 282 miliardë USD vëllim tregtar për vitin 2023, si dhe të investuesit më të rëndësishëm. Çfarë dobie i ka sjellë vendeve të Afrikës dhe në tërësi ekonomisë botërore ky pozicionim i Kinës?

Prof.asc.dr Klodian Muço: Në rast se do t’i ndanim në tre grupe të mëdha investimet e Kinës në Afrikë, do të shikonim se Kina po investon në infrastrukturën e këtij kontinenti. Është investitori kryesor në infrastrukturë. Po investon në portet dhe në rrugët e Afrikës.

Ajo gjithashtu investon dhe në shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe në bujqësi.

Në dekadën e fundit, më shumë e shikojmë Kinën si kreditore të projekteve të zhvillimit në kontinentin afrikan. Ajo po financon pjesën më të rëndësishme të investimeve që bëjnë vendet afrikane.

Foto:VCG

Përurohet hekurudha Mombasa-Najrobi, Kenia, 2017(Foto nga VCG)

Foto:Xinhua

Një ekspert kinez po mëson bujqve afrikanë të mbjellin oriz, distrikt Huye, Ruanda, 14 gusht 2024(Foto nga Xinhua)

Kina po qaset më shumë tani, përmes projekteve të partneritetit publik-privat, PPP, që janë të njohura edhe në Shqipëri.

Çfarë vihet re, është se po rriten përherë e më shumë kontratat PPP në vendet afrikane në vitet e fundit. Kjo tregon rëndësinë që i dedikon Kina Afrikës në tërësi. 

Në nivel të përfitimeve të kontinentit, investimet e Kinës në infrastrukturë dhe në prodhim kanë rritur punësimin në vendet afrikane. Rritja e punësimit nënkupton rritjen e të ardhurave për frymë dhe ndikon në mënyrë direkte në mirëqënie.

Kështu në kompleks, është shumë e rëndësishme për Kinën, nga njëra anë, që investon dhe ka zgjedhur këto forma bashkëpunimi.

Nga ana tjetër, kjo është akoma dhe më e rëndësishme për vendet afrikane, pasi marrin fondet dhe ekspertizën që ju mungojnë.

Kapitali i huaj është kapital i huaj dhe nuk ka shumë rëndësi, nëse përfitimi është më i madh apo më i vogël, në varësi të njërës formë apo forme tjetër të bashkëpunimit.

Në fund të fundit, është investim, i cili gjeneron punësim dhe mirëqënie.

CMG: Bashkëpunimi ekonomik Kinë-vendet e Afrikës realizohet përmes planeve trevjeçare të zhvillimit. Ju duket qasja e duhur?

Prof.asc.dr Klodian Muço: Përtej aspektit kohor, ajo që vihet re është se Kina është e interesuar për bashkëpunim afatgjatë, por për rezultate të dukshme edhe në periudha afatmesme, si ato trevjeçare.

Kina e shikon Afrikën me të drejtë si burim të rëndësishëm mineralesh për industrinë e saj. Një pjesë e mirë e mineraleve të përdorura për prodhimin e baterive për industrinë e automjeteve elektrike, për shembull, vjen nga kontinenti afrikan.

Kina është prodhuesja më e madhe në botë e këtyre makinave dhe në të ardhmen presupozohet që automjetet elektrike të dominojnë, dhe jo më ato me karburant.

Duke vazhduar të importojë nga Rusia sasi të rëndësishme të gazit natyror për energji dhe prodhim, Kina i shikon vendet afrikane si një burim alternativ.

Foto:Xinhua

Park industrial Kinë-Ugandë, Mbale, Prill 2024(Foto nga Xinhua)

Me konfliktin në Ukrainë, u vu re se sa e varur ishte Evropa Perëndimore nga furnizimi me naftë dhe gaz rus. Kina kërkon të diversifikojë dhe alternojë burimet e importeve energjitike të saj, për arësye edhe të kostove, por edhe të asaj që nuk dua të jem e varur nga asnjë shtet.

Aspekti i tretë i kësaj qasjeje tregon se tendenca që të investohet në infrastrukturë, të investohet në sektorin energjitik në Afrikë, për shkuarjen drejt energjisë së gjelber, dëshmon se Kina nuk ka një interes afatshkurtër.

Kina ka zgjedhur një bashkëpunim të vazhdueshëm, një miks mes raporteve tregtare dhe investimeve me vendet afrikane. Formati është një vlerësim trevjeçar i bashkëpunimit, por ai është i vazhdueshëm, me investime strategjike në sektorin energjik apo minierat. 

CMG: Në këta tre vitet e fundit, Kina ka dërguar mbi 500 ekspertë bujqësorë në Afrikë dhe ka përgatitur rreth 9000 talente afrikane, për të mbështetur modernizimin bujqësor të kontinentit. Pse është e rëndësishme ekonomia bujqësore afrikane për ekonominë botërore?

Prof.asc.dr Klodian Muço: Do të bëj një parantezë të shkurtër. Në vitet 70-të të shekullit të kaluar, Kili konsiderohej një vend bujqësor dhe u diskutua cilët ishin sektorët e rëndësishëm të ekonomisë së këtij vendi, për t’u zhvilluar.

U mbodh një tryezë e madhe ekspertësh vendas dhe të huaj, e thirrur nga qeveria. Seicili dha ide se ku mund të përqëndrohej zhvillimi i ardhshëm i Kilit. U çua një nga specialistët vendas dhe tha që karakteristikat e ekonomisë kiliane janë të tilla që mund të zhvillojmë sektorin e verës dhe të vreshtarisë. Të gjithë e panë me skepticizëm. Megjithatë qeveria vendosi për këtë qasje. Ajo zgjodhi studentët më të mirë të vendit dhe i financoi, duke i çuar në Francë, për të mësuar se si mund të zhvillohej vreshtaria. Pastaj grupin e dytë e specializoi për prodhimin e verës. Sot Kili është ndër prodhuesit e njohur në botë të verës.

Mesazhi është ky, që nëse dëshiron të zhvillosh një sektor me të ardhme, duhet të përgatitësh kuadrot e tu.

Kina po i ndihmon vendet afrikane pikërisht me këtë gjë. Po i aftëson ekspertët e tyre, pavarësisht se në këndvështrim të parë, bujqësia duket e vështirë të zhvillohet në kushtet e klimës në Afrikë.       

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është që hapësirat në Afrikë për zhvillimin e bujqësisë janë të pamata. Kjo rritje e vazhdueshme e popullsisë së Kinës dhe të botës në tërësi, jep mundësi që këto territore të pafund të kontinetit afrikan të mund të zhvillohen në të ardhmen për zhvillimin e bujqësisë dhe të produkteve bujqësore edhe për eksport në Kinë dhe në të gjithë botën.

Nga ana tjetër, shfrytëzimi i teknologjive të reja moderne edhe në prodhimin bujqesor, ka bërë të mundur që në ato territore, ku më parë ishte e pakonceptueshme të zhvilloje bujqësinë, tani mund ta realizosh. Kina në Afrikë po bën pikërisht këtë gjë, përmes inovacioneve bujqësore. Eksperti i ekonomisë Prof.As.Dr. Klodian Muço, Dekan i Fakultetit Ekonomik, Universiteti Zonja e Këshillit të Mirë, komenton këtë samit për Grupin Mediatik të Kinës

Presidenti Xi në ceremoninë e hapjes së Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë (Foto CMG)

Presidenti Xi në ceremoninë e hapjes së Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë (Foto CMG)

CMG: Profesor Muço, ju keni studimet tuaja për tregjet financiare dhe të kapitalit. Ndërkohë, Egjypti ka nxjerre bondin e parë, të quajtur Panda. Si e konsideroni këtë nismë financiare dhe monetare të një vendi relativisht të zhvilluar të kontinentit afrikan?

Prof.asc.dr Klodian Muço: Në qoftë se do të kthehemi pas në kohë, në shekullin e kaluar në vitin 1944 u krijuan institucione si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të dominuara nga SHBA-të.

Ndërkohë, përpara dy vitesh, u mblodhën në Afrikën e Jugut Kina, Rusia, Brazili, India, etj., pra vendet e BRICS +. Ky samit u fokusua në idenë se si mund të thithin kapitale më shumë këto vende, për t’u bërë më shumë atraktive për investimet e huaja, por edhe për të qenë autonome dhe për të mos u varur nga institucionet ndërkombëtare tradicionale.

Këto vende folën për të krijuar një bankë botërore BRICS të zhvillimit. Në Samitin në Afrikën e Jugut dy vjet më parë, morën pjese edhe 20 shtete afrikane. Për arësye të procedurave dhe të evolucionit që ka patur aspekti politik në këto vitet e fundit, kjo qasje ndoshta mbeti disi më prapa.

Kështu që vende të veçanta, në rastin konkret Egjypti, ka marrë masa konkrete se si të bëhet më atraktiv për investimet e huaja, përmes emetimit të bondit që ju përmendët, për të thithur sa më shumë kapitale.

Çdo shtet që e bën këtë, është diçka pozitive. Egjypti, përveç përparësive të tjera që ka, konsiderohet një vend i rëndësishëm për disa produkte bujqësore. Për shembull për pataten, e cila tek ne konsiderohet një sfidë, pasi fermerët detyrohen ta hedhin këtë produkt, për mungesë të tregut.

Sot furnizuesi kryesor në rajon dhe më tej për pataten dhe qepën është pikërisht Egjypti. Mendoj se bondi mund të jetë shumë mirë një opsion për të thithur kapitale në këtë vend dhe kjo qasje duhet replikuar.           


Forumi i Bashkëpunimit Kinë-Afrikë (Foto CMG)

Forumi i Bashkëpunimit Kinë-Afrikë (Foto CMG)

CMG: Samiti Kinë-Afrikë që po zhvillohet në Pekin ka përfshirë katër takime të nivelit të lartë mbi qeverisjen shtetërore, industrializimin dhe modernizimin bujqësor , paqen dhe sigurinë, si dhe bashkëpunimin cilësor nën nismën “Një Brez, një Rrugë”. Në gjykimin tuaj, a duhet promovuar kjo qasje si model zhvillimi edhe në rajone të tjera të botës? 

Prof.asc.dr Klodian Muço: Ndryshe nga një periudhë e mëparshme, kur në shekullin e kaluar vendet e zhvilluara evropiane thjesht i konsideronin vendet afrikane si vende ish-koloni të tyre dhe vetëm merrnin përmes tregtisë pasuritë e tokës dhe nëntokës së Afrikës, pa kontribuar shumë në zhvillimin e tyre, Kina në këto 24 vitet e fundit ka treguar një qasje tjetër.

Ajo po investon në zhvillimin e infrastrukturës, të ekonomisë së gjelbër në këto vende, si dhe në rritjen e kapitalit njerëzor të tyre.

Pra Kina, me qasjen e saj thotë që: “Vërtet më interesojnë lëndët e para dhe mineralet e këtyre vendeve dhe bëj tregti me to, por më intereson akoma më shumë që këto vende t’i kem partnere të zhvilluara, ngaqë si unë, edhe ato, në këtë mënyrë përfitojmë të gjithë më tepër”.

Sigurisht që kjo qasje meriton të replikohet gjithkund në botë, pasi është për partneritet dhe për përfitim reciprok.

     

Intervistoi Fatos Çoçoli