Kreu i opozites izraelite (Foto Atsh)
Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, bëri thirrje për një marrëveshje me Hamasin për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe për të liruar pengjet që ende mbahen nga grupi palestinez.
Në një postim në “X”, ai deklaroi se përfundimi i luftës është në interesin e Izraelit, shkruan “ATSH”.
Po ashtu, ai përsëriti thirrjen për një ndryshim në udhëheqjen politike të Izraelit.
“Lufta do të vazhdojë për aq kohë sa të ekzistojë kjo qeveri. Qeveria nuk do paqe”,- shtoi ish-kryeministri dhe kreu i partisë centriste Yesh Atid.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i partisë ekstremiste të krahut të djathtë Otzma Yehudit, deklaroi më herët se po punonte për t’i dhënë fund bisedimeve aktuale indirekte me Hamasin për një armëpushim në Rripin e Gazës. Sipas tij, Izraeli nuk duhet të negociojë me vrasës.
Gjatë fundjavës, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) njoftuan zbulimin e trupave të gjashtë pengjeve, duke provokuar një valë pikëllimi dhe zemërimi në Izrael.
Lajmi nxiti qindra mijëra protestues në rrugë. Ata kërkuan një marrëveshje për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura. (Irma)