Ndikimi i zgjedhjeve në vendet europiane në jetën e emigrantëve shqiptarë
2024-09-06 09:46:09

Parlamenti Europian (Foto Abc News)

Parlamenti Europian (Foto Abc News)

 

Globalisht më shumë votues se kurrë në histori i drejtohen në 2024 i drejtohen qendrave të votimit, ndaj ky vit konsiderohet si “Viti i zgjedhjeve” sepse të paktën 64 vende të botës, plus vendet e Bashkimit Europian, të cilat përfaqësojnë një popullsi të kombinuar globale, rreth 49 për qind të njerëzve në botë janë pjesë e zgjedhjeve kombëtare. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të jenë të rëndësishme për vitet në vijim, por duke u fokusuar në zgjedhjet në vendet e BE-së pritet  të ndikojnë shumë tek emigrantët shqiptarë në këto vende. Dr. Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit komenton ndikimin e këtyre zgjedhjeve, por dhe të zgjedhjeve në Parlamentin Europian në jetën e emigrantëve shqiptarë, rezidentë në BE

 

CMG: Si ndikojnë zgjedhjet e PE  dhe rrymat e fundit politike të BE-së për Shqipërinë?

Dr. Marsela Musabelliu: Duke qenë se në 3 dekadat e fundit ne po bëhemi një popull mërgimtarësh, është shumë e rëndësishme për një pjesë tonën që ndodhet në vendet e BE-së ku jeton një numër i madh shqiptarësh. Ka qenë gjithmonë në interesin tonë të dimë si janë dhe si do të jetë e ardhmja e emigrantëve shqiptarë në këto vende. Që të bësh një rezyme të të gjitha vendeve të BE-së është gati e pamundur sepse janë shumë të fragmentuara jo vetëm nga ana politike, por edhe politike. Shqiptarët në BE kanë të përbashkët vështirësitë e tyre të fillimit, sepse ata kanë treguar që janë një ndër komunitetet më shpejt të integrueshëm në këto vende. Ndërkohë shqiptarët janë përballur me vështirësitë e pajisjes me dokumente, si letrat e natyralizimit apo të nënshtetësisë në vendet ku ata jetojnë.

CMG: Nga historitë e treguara herë pas here në media, shohim se sa i përket pajisjes me dokumente shqiptarët kanë hasur vështirësi burokratike në Greqi, më së shumti, por dhe në Itali. Nëse flasim për zgjedhjet, ato përfshijnë vende që nga Bangladeshi, India, por dhe Rumania, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe sigurisht zgjedhjet në Parlamentin Europian.Sa pritet të ndikojnë këto zgjedhje në jetën e emigrantëve shqiptarë?

Dr. Marsela Musabelliu: Edhe pse në Europën Perëndimore politika nuk është një incident aq i madh në jetën e qytetarëve siç është në Shqipëri, gjithësesi vjen një moment që emigrantët shqiptarë përballen me burokracitë e vendeve përkatëse.

CMG: Aktualisht emigrantët shqiptarë janë më të ndërgjegjësuar sa i përket pajisjes me dokumente dhe integrimit. Para viteve 2000 shumica e shqiptarëve emigrantë deklaronin se ishin “pa letra”, duke nënkuptuar me këtë lejet e qëndrimit.

Dr. Marsela Musabelliu: E saktë. Për fat të keq statusi i tyre ka qenë i margjinalizuar dhe tashmë kjo është bërë histori epike. Ndërsa shqiptarët që janë larguar nga vendi në dekadën e fundit, të cilët njihen si “Diaspora e re” , e kanë më të theksuar dëshirën për t’u integruar, për të mësuar gjuhën dhe kulturën e vendeve përkatëse, pra është në një nivel më të lartë krahasuar e emigrantë të tjerë të nacionaliteteve të ndryshme në këto vende.

Alternativa e emigrantëve shqiptarë në këto vende është nëse nuk pajisen me dokumente do të kthehen në Shqipëri, ose do të natyralizohen.  Në momentin që emigrantët shqiptarë aplikojnë për t’u pajisur me dokumente, gjithçka varet nga politika e vendit përkatës.

Dr. Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

Dr. Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

CMG: Pikërisht për këtë arsye po fokusohemi te zgjedhjet

Dr. Marsela Musabelliu: Në fakt zgjedhjet në Parlamentin Europian nuk kanë impakt direkt  tek emigrantët, sepse ky organizëm ka lidhje me Traktatin e Lisbonës, që luan një rol jetik për ratifikimin e këtyre legjislacioneve të lidhura me zgjerimin. Ndërsa sa u përket integrimit të emigrantëve, kjo ëshrtë në dorë të çdo shteti. Me të vërtetë PE nuk ka impakt direkt te emigrantët, por ishte vënë re dhe në sondazhet e para zgjedhjeve janë parë disa terma tipikë. E para, euroskeptikët kanë fituar zgjedhjet dhe e dyta, emigracioni ishte në krye të agjendës së tyre.

Si ndikon kjo te emigrantët shqiptarë?

Ka shumë shqiptarë pa dokumente në vendet e Bashkimit Europian dhe politikat ndaj tyre mendohet që do të bëhen edhe më të ashpra. Sigurisht që nuk është e drejtë që një njeri të qëndrojë ilegalisht në një vend të huaj, por fakti që kanë shkuar atje nuk është për dëshirë, por për nevojë.

Nëse u referohemi emigrantëve shqiptarë që janë me leje qëndrimi në vendet e B-së, vështirësia e marrjes dhe ripërsëritjes së një leje qëndrimi do të varet gjithmonë nga politika dhe fryma politike e kohës kur aplikon. Fatkeqësisht me kohët që po vijnë dhe me frymën antiemigracion dhe kundër të huajve, që deri para disa vitesh ishte disi më e fshehtë, apo e kamufluar, tani është e hapur.

Kjo do të ndikojë në radhë të parë nga ana logjistike dhe emigrantët shqiptarë do të vuajnë më shumë për pajisje me dokumente, por dhe nga ana psikologjike sepse asnjë shqiptar në Gjermani, Francë apo Itali nuk do që të hapë televizorin dhe të dëgjojë se kemi shumë të huaj. Identifikimi i tyre gjithmonë si të huaj është shumë problematik. Kjo lloj retorike që po ndodh si pasojë e fitimit të zgjedhjeve të këtyre forcave politike, fatkeqësisht nuk do të ndikojë mirë te emigrantët shqiptarë, por le të shpresojmë që mendje më të kthjellta do të prevalojnë dhe jeta e tyre në emigracion do të bëhet dhe më e lehtë.

CMG: Politika e emigracionit në nivel të BE-së dhe në nivel kombëtar, çfarë sinjalesh përcjeëë për Shqipërinë dhe shqiptarët në BE?

Dr. Marsela Musabelliu: Fakti që euroskeptikët kanë marrë revansh dhe partitë që nuk duan një zgjerim të BE-së më tej, tani kanë një përqindje më të madhe në Parlamentin Europian, nuk përbën një lajm të mirë për integrimin e emigrantëve shqiptarë.

Ndërkohë Tirana zyrtare sa i përket integrimit në BE ka deklaruar se “ i ka bërë detyrat”, rruga e integrimit me sa duket do të jetë e vështirë. Ndërsa shqiptarët emigrantë në vendet e BE-së pritet të hasin vështirësi dhe ka patur zëra kryesisht të forcave politike ekstreme të cilat kërkojnë të vështirësohet procesi i pajisjes së tyre me dokumente. Kjo pritet të ndikojë që emigrantë të tjerë të mos vijnë në këto vende.

Edhe pse zgjedhjet e Parlamentit Europian nuk kanë ndikim direkt legjislativ te të huajt, rrymat që kanë fituar tregojnë se vështirësitë e integrimit për të huajt do të jenë në rritje

CMG: Si shfaqet aktualisht situata në terren për shqiptarët rezidentë në BE?

Dr. Marsela Musabelliu: Sipas Eurostat-it 213 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë e një vendi të BE-së për një periudhë 5 vjeçare, deri në vitin 2022. Që të arrish në marrjen e nënshtetësisë do të thotë se ky emigrant ka të paktën 10-15 vite që jeton në këtë vend. Kjo do të thotë se këta  shqiptarë nuk do të kthehen më në atdhe.

Në statistika të tjera thuhet që numri më i madh i emigrantëve në vitin 2021 nga i gjithë Ballkani dhe Turqia numëronin 4.2 milion leje qëndrimi të lëshuara nga vendet e BE-së. Ndër këta 44 për qind ishin nga Turqia dhe direkt pas tyre renditet Shqipëria. Pra rritja eksponenciale e kërkesës për leje qëndrimi, të cilat mund të jenë për motive pune, bashkimi familjar, studimi e arsye të tjera vendi ynë renditet i dyti pas Turqisë. Këto shifra janë të frikshme për shqiptarët që po largohen aktualisht nga vendi, të cilët pritet të përballen me vështirësi të reja gjeopolitike.

Çdo vend ka politikat e veta të integrimit. Për shembull për t’u bërë shtetas austriak një të huaji i duhen 30 vjet, ndërsa për t’u bërë shtetas portugez duhen vetëm 3 vjet, kurse Qipro e ka 7 vjet këtë afat. Mesatarisht duhen 5 vjet për këtë proces, por secila procedurë ka specifikat e veta. Për shembull, Italia ka si kusht primar që emigranti të mos ketë kryer asnjë lloj krimi në këtë vend. Nëse një emigrant ka kryer një krim sado të vogël, procesi i natyralizimit në Itali është shumë i vështirë. Nga ana tjetër Gjermania dhe Franca kanë si kusht njohjen e gjuhës dhe kulturës së vendeve të tyre dhe nëse aplikuesi për këto dokumente nuk ka njohuri për këto, nuk nis fare procesi i pajisjes me dokumente. Pas 7 vjetësh të qëndrimit të emigrantëve në këto vende nis provimi i parë, kontrolli i dokumentacionit. Dy dekada janë minimalisht pritje për emigrantin për t’u bërë qytetar i atij vendi.

Fatkeqësisht duke shkuar gjithmonë e më shumë shqiptarë në vendet e BE-së këto tendenca bëhen indikative.

Nëse spostohemi në Mbretërinë e Bashkuar, si është e mundur që me një numër të vogël shqiptarësh, targeti i medias dhe i politikanëve ekstremistë në këtë vend janë bërë shqiptarët? Targetimi i një grupi specifik bëhet nga njerëz dashakeqës.

Kërkesat e shqiptarëve për azil në Europë (Foto Hashtag.al)

Kërkesat e shqiptarëve për azil në Europë (Foto Hashtag.al)

CMG: Gjykoni se ka ndikuar negativisht në shtimin e burokracive për pajisjen e emigrantëve shqiptarë me leje qëndrimi në vendet e BE-së, por jo vetëm, emigracioni i paligjshëm ?

Dr. Marsela Musabelliu: Emigracioni i paligjshëm nga Shqipëria sipas statistikave është reduktuar dukshëm, sepse ne mund të shkojmë në Europë pa viza, por fatkeqësisht është rritur numri i krimeve të kryera në këto vende nga shqiptarët. Ndonëse janë pak ata që kryejnë krime, por ata dalin në lajme.

CMG: Le të flasim në një plan më të gjerë. Në një deklaratë të fundit kryeministrja italiane Georgia Meloni ka thënë se “ ky emigracion i paligjshëm po dëmton emigracionin e ligjshëm”.

Dr. Marsela Musabelliu: Italia ka një problem shumë specifik dhe gjeografik sa i përket emigrantëve, sepse Italia është pit-stop i parë i emigrantëve që vijnë me gomone në këtë vend nga Afrika, që është një tragjedi njerëzore. Italia me një forcë politike që në fillimet e saj e nisi me një frymë antiemigracion mendoj se tani kur deklarojnë se të paligjshmit dëmtojnë emigrantët e ligjshëm, bëhet për shkak të marrjes së votave, ose specifikave të tyre. Emigrantët që janë të natyralizuar në Itali votojnë.

Margjinalizimi dhe shënjestrimi i një grupi të vetëm të paligjshmit sikur ata janë rrënja e së keqes është më shumë një çeshtje politike se sa sociale. Kjo sepse nuk ka shifra apo studime sipas të cilave emigrantët e paligjshëm janë problemi kryesor.

Nëse u referohemi viteve 1998-2010 në Itali shqiptarët ishin shënjestra e preferuar e medias vendase. Shënjestrimi pa prova është i gabuar.Në vitin 2005 jetoja në Itali dhe profesorët e sociologjisë bënin takime me mediat dhe partitë politike dhe u thonin se nuk kemi studime dhe statistika që të gjitha krimet i kanë bërë emigrantët shqiptarë. Më vonë kur dolën studimet e INSTAT-it të Italisë u pa që nuk ishin shqiptarët me përqindjen më të madhe në kryerjen e krimeve, por ishin qytetarë të kombësive të tjera.

Mendoj se emigrantët e paligjshëm që vijnë me gomone në Europë nga Afrika, apo nga malet nga vendet e Ballkanit nuk kanë zgjidhje tjetër, sepse përndryshe nuk do të largoheshin nga vendet e tyre. Shënjestrimi i tyre është i lig në vetvete dhe i përdorur politikisht për këto zgjedhje që folëm.

Intervistoi Eda Merepeza