Foto nga VCG
Bota prodhon rreth 57 milionë tonë mbetje plastike çdo vit dhe i përhap ato nga oqeanet më të thella te majat e maleve deri në trupin e njeriut, thuhet në një studim të publikuar nga universiteti “Leeds” në Mbretërinë e Bashkuar, të botuar në revistën “Nature”, shkruan “Panorama”.
Sipas studimit, rreth 2/3 e mbetjeve vijnë nga vendet në zhvillim.
Studiuesit ekzaminuan mbetjet e prodhuara në nivel lokal në më shumë se 50.000 qytete dhe qyteza në mbarë botën. Studimi ekzaminoi plastikën që shkon në mjedis të hapur, si dhe mbetjet joplastike që shkojnë në vendgrumbullimet e mbetjeve, ose që digjen në mënyrën e duhur.
Për 15 për qind të popullsisë së botës, qeveria dështon në mbledhjen dhe asgjësimin e mbetjeve, thanë autorët e studimit, një arsye kryesore se përse Azia Juglindore dhe Afrika Nën-Sahariane prodhojnë më shumë mbetje plastike. Këtu përfshihet dhe një popullsi prej 255 milionë njerëzish në Indi, thuhet në studim.
Qyteti i Lagosit në Nigeri prodhoi mbetje plastike më shumë se çdo qytet tjetër, sipas autorit të studimit Costas Velis, profesor pranë universitetit “Leeds”.
Qytetet e tjera me ndotje më të madhe plastike janë Nju Delhi në Indi, Luanda në Angola, Karaçi në Pakistan dhe Kajro në Egjipt.
India është e para në botë për prodhimin e mbetjeve plastike, 10.2 milionë tonë në vit, shumë më tepër se dyfishi i vendeve që renditen pas saj, Nigeria dhe Indonezia.
Studimi përdori inteligjencën artificiale për t’u përqendruar te mbetjen plastike që u dogjën në mënyrë jo të duhur, rreth 57 për qind e mbetjeve, ose që thjesht u depozituan. Në të dyja rastet, janë mikroplastika tepër të vogla, që e shndërrojnë problemin e ndotjes ujore dhe dëmtimit të jetës nënujore në një kërcënim për shëndetin e njeriut, tha Velis.
Ekspertët e jashtëm shqetësohen se përqëndrimi i studimit te ndotja, në vend të prodhimit të përgjithshëm, e largon vëmendjen nga industria e plastikës. Prodhimi i plastikës lëshon sasi të mëdha të gazit ndotës që kontribuon për ndryshimet klimaterike.
Kombet e Bashkuara parashikojnë se prodhimi i plastikës ka të ngjarë të rritet nga rreth 440 milionë tonë në vit, në mbi 1.200 milionë tonë dhe se planeti po mbytet nga plastika. (Irma)