Foto nga VCG
Komisioni Europian ka bërë të ditur se nga 10 nëntori në shtetet e zonës Shengen do të hyjë në fuqi kontrolli elektronik i pasaportave për hyrje-daljet e pasagjerëve që nuk janë shtetas të Bashkimit Europian, shkruan “RTSH”.
Sistemi i hyrjes/daljes (EES) do të jetë një i automatizuar për regjistrimin e udhëtarëve nga vendet e treta, sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së.
Sipas procedurës së re, sistemi do të regjistrojë emrin e personit, llojin e dokumentit të udhëtimit, të dhënat biometrike, përfshirë këtu gjurmët e gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës.
“Ne po ndërtojmë një sistem të ri mbi ndërveprimin me bazat e të dhënave që mund të komunikojnë mes tyre. Kjo do të thotë se ne do të mirëpresim miliona vizitorë në Europë në një mënyrë më të lehtë, dhe më të qetë.
Kështu, për shembull, me sistemin e hyrjeve dhe daljeve nuk do të kemi më kontroll manual të pasaportave. Dhe kjo do të shpejtojë edhe radhët dhe kontrollet elektronike”,- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper.
Sistemit i hyrjeve/daljeve është krijuar në nëntor të vitit 2017, por zbatimi i tij është shtyrë disa herë. Këtij sistemi do t’i nënshtrohen shtetasit e rreth 60 vendeve, përfshirë edhe shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pasaportat në të gjitha vendet e rajonit janë biometrike dhe përmbajnë shënimet e nevojshme. Ato janë plotësisht në përputhje me kushtet që ka kërkuar BE-ja në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë regjim pa viza. (Irma)