Foto nga RTSH
Të paktën 12 persona kanë humbur jetën, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, kur një varkë me emigrantë u mbyt në brigjet e Francës veriore. Ekipet e urgjencës shpëtuan 53 persona dhe gjetën trupat e personave të pajetë, shkruan “RTSH”.
Disa nga të shpëtuarit ishin në gjendje kritike dhe kërkonin kujdes urgjent mjekësor.
Për kërkimin e personave të tjerë në det u ndërmorën operacione kërkim-shpëtimi me helikopterë, anije peshkimi dhe varka.
Sipas kryebashkiakut të Boulogne-sur-Mer, Frédéric Cuvillier, në varkë ishin gati 70 persona, por numri i saktë është i paqartë.
Incidenti i fundit pason një numër tragjedish në Kanalin Anglez, ku emigrantët kanë humbur jetën duke tentuar të kalojnë për në Britaninë e Madhe.
Prokurori Guirec Le Bras tha se shumica e emigrantëve mendohet të jenë nga Eritrea. Sipas tij, anija u mbyt rreth 5 kilometra nga brigjet e Cap Gris-Nez, në bregun verior të Francës.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, u tha gazetarëve se më pak se tetë persona kishin jelek shpëtimi në bordin e varkës, duke drejtuar gishtin nga kontrabandistët për kushtet e pasigurta.
“Kjo është një tragjedi. Sapo një person humb jetën në territorin tonë, padyshim kemi dhembje për familjet e tyre. Ata kërkonin një jetë më të mirë në Britaninë e Madhe”,- tha ai.
Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme britanike, gati 30 mijë persona arritën në Britani duke kaluar Kanalin me gomone vitin e kaluar. (Elona)