foto nga Xinhua
Presidenti kinez Xi Jinping takoi të enjten homologun namibian Nangolo Mbumba, që gjendet në Kinë për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024.
Në takim Xi vlerësoi kontributin e presidentit Mbumba për suksesin e këtij samiti që zhvillohet në Pekin, duke vënë në dukje se samiti pasqyron vendosmërinë e palëkundur të Kinës dhe të Afrikës për nxitjen e përbashkët të modernizimit. Ai tha se pala kineze është e gatshme që të përpiqet bashkë me Namibinë e vende të tjera afrikane për të zbatuar në mënyrë të gjithanshme rezultatet e ndryshme të samitit, për të nxitur zhvillimin e lulëzimin e përbashkët dhe për të krijuar bashkësinë me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë të nivelit të lartë.
Xi theksoi se pala kineze dëshiron të thellojë me palën namibiane bashkëpunimin miqësor midis dy vendeve e dy partive dhe të forcojë lidhjen e strategjive të zhvillimit të të dy vendeve, duke arritur kulme të reja bashkëpunimi në fusha të tilla si bujqësia, energjia e pastër, infrastruktura, energjetika e burimet minerare, shkenca e teknologjia etj. Pala kineze inkurajon ndërmarrjet kineze të investojnë dhe të ngrenë sipërmarrje në Namibi dhe shpreson se pala namibiane do të vazhdojë t'u ofrojë atyre lehtësi dhe përkrahje. Kina është e gatshme të forcojë bashkërendimin strategjik shumëpalësh me Namibinë, duke konsoliduar e shtuar më tej forcën e Jugut Global dhe duke dhënë kontribut për ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.
foto nga Xinhua
Nga ana e tij, Mbumba tha se dy dokumentet e rezultateve që u miratuan të enjten paradite në samit, do të jenë në dobi të konsolidimit të miqësisë vëllazërore afrikano-kineze dhe të nxitjes së bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme. Veçanërisht një sërë masash të reja të paraqitura nga presidenti Xi për nxitjen e përbashkët të modernizimit të Afrikës dhe Kinës do t'i drejtojnë të dyja palët të krijojnë bashkërisht të ardhmen e ndritur me zhvillim e lulëzim të përbashkët dhe do të nxitin ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë. Pala namibiane do të thellojë shkëmbimet me palën kineze, për të konkretizuar në mënyrë serioze e të gjithanshme rezultatet e këtij samiti.
Mbumba theksoi gjithashtu se Namibia ndjek me vendosmëri politikën e "Një Kine", e përkrah me vendosmëri Kinën në mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe në rrugën e suksesshme të socializmit me karakteristika kineze, si edhe mbështet një sërë nismash globale të paraqitura nga presidenti Xi, që janë në favor të realizimit të paqes e modernizimit të botës.
Në kuadër të këtij samiti, Kina dhe Namibia nënshkruan disa dokumente të bashkëpunimit dypalësh, përfshirë atë mbi eksportin e mishit të bagëtisë së imët në Kinë. (Wang Lei/ Artan)