Foto nga Xinhua
Teksti i plotë: Fjalimi tematik i Xi Jinpingut në ceremoninë e hapjes të Samitit të Pekinit të Forumit mbi Bashkëpunimin Kinë - Afrikë
5 shtator 2024, Pekin
Kryetari i Shtetit të Kinës, Xi Jinping
Të nderuar President Faye, President Ghazouani, Kryetar i radhës të Bashkimit Afrikan, liderë shtetërorë, liderë qeveritarë, kryetarë delegacionesh, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së z. Guterres, President i Këshillit të Bashkimit Afrikan, z. Faki Mahamat, miq e të ftuar:
Në këtë kohë të bukur e të mirë, me një stinë plot korrje, gëzohem shumë që takohem në Pekin me miq të rinj dhe të vjetër, për të bashkëbiseduar mbi bashkëpunimet miqësore Kinë - Afrikë në epokën e re.
Para së gjithash, në emër të qeverisë dhe popullit kinez, dëshiroj t'u uroj një mirëseardhje të ngrohtë të gjithëve!
Miqësia Kinë - Afrikë ka udhëtuar nëpër kohë e hapësirë dhe është trashëguar brez pas brezi. Krijimi i Forumit për Bashkëpunimin Kinë - Afrikë në vitin 2000 ishte një moment i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve Kinë - Afrikë. Gjatë 24 viteve të fundit, veçanërisht që nga epoka e re, Kina dhe vëllezërit e motrat afrikanë kanë ecur përpara dorë për dore, bazuar në konceptin e autenticitetit, afinitetit dhe mirëbesimit. Përballë ndryshimeve të situatës ndërkombëtare, ne kemi qëndruar krah për krah, kemi mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të njëri-tjetrit. Në mes të ndryshimeve shekullore në botë, jemi bërë më të fortë, më të fuqishëm. Arritjet e pasura kanë favorizuar qindra miliona banorë të Kinës dhe Afrikës përballë pandemisë dhe fatkeqësive. Kemi punuar shumë së bashku dhe kemi shkruar histori prekëse të miqësisë Kinë - Afrikë. Përherë kuptojmë njëra-tjetrën, mbështesim njëra-tjetrën dhe kemi krijuar shembullin e marrëdhënieve ndërkombëtare me model të ri.
Pas gati 70 vitesh punë të palodhur, marrëdhëniet Kinë - Afrikë janë në periudhën e tyre më të mirë në histori. Duke parë të ardhmen, unë propozoj ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe të Kinës me të gjitha vendet afrikane që kanë lidhje diplomatike, në një nivel të marrëdhënieve strategjike, si edhe ngritjen e statusit të përgjithshëm të marrëdhënieve Kinë - Afrikë, në një komunitet Kinë - Afrikë të çdo moti, me një të ardhme të përbashkët në epokën e re!
Të dashur miq e të ftuar!
Arritja e modernizimit është një e drejtë e patjetërsueshme e të gjitha vendeve të botës. Procesi i modernizimit perëndimor ka sjellë vuajtje të rënda për një numër të madh vendesh në zhvillim. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, vendet e botës së tretë të përfaqësuara nga Kina dhe Afrika, arritën me sukses pavarësinë dhe zhvillimin, si edhe vazhduan të korrigjojnë padrejtësitë historike në procesin e modernizimit. Republika Popullore e Kinës është gati të festojë 75-vjetorin e saj. Ajo po e çon përpara në mënyrë të palëkundur, kauzën e madhe të ndërtimit të një vendi të fortë, si edhe rinovimit të kombit përmes modernizimit të stilit kinez. Ndërkohë Afrika po përjeton një rizgjim të ri. Ajo po bën përparime të qëndrueshëme drejt synimeve të modernizimit, të përshkruara në Axhendën e Bashkimit Afrikan 2063. Ëndrra e modernizimit Kinë - Afrikë me siguri do të shkaktojë një dallgë modernizimi në Jugun global dhe do të shkruajë një kapitull të ri në ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
Duhet të nxitet bashkë modernizimi i drejtë dhe i arsyeshëm. Për modernizimin e një vendi, duhet të zbatohen rregullat e zakonshme por edhe situata aktuale e vendit. Kina është e gatshme të forcojë shkëmbimet e përvojës në qeverisje me Afrikën, të mbështesë të gjitha vendet në eksplorimin e rrugëve të modernizimit që i përshtaten kushteve të tyre kombëtare dhe të sigurojë të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjitha vendet.
Duhet të nxitet bashkë modernizimi i hapur dhe me përfitime të përbashkëta. Bashkëpunimi reciprokisht i dobishëm është një rrugë me diell që u shërben interesave afatgjata dhe themelore të të gjitha vendeve. Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Afrikën në fushën e industrisë, bujqësisë, infrastrukturës, tregtisë dhe investimeve. Të vendosë një pikë referimi për ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë” dhe së bashku të krijojnë një model shembullor për zbatimin e Nismës Globale të Zhvillimit.
Duhet të nxitet bashkë modernizimi që vendos popullin në rradhë të parë. Arritja e zhvillimit të lirë dhe gjithëpërfshirës të njerëzve është qëllimi përfundimtar i modernizimit. Kina është e gatshme të kryejë në mënyrë aktive bashkëpunimin me Afrikën në fusha të tilla si trajnimi i talenteve, ulja e varfërisë dhe punësimi, në mënyrë që të rrisë ndjenjën e fitimit, lumturisë dhe sigurisë së njerëzve në procesin e modernizimit dhe bashkërisht të promovojë modernizimin për të përfituar të gjithë njerëzit.
Duhet të nxitet modernizimi që është i larmishëm dhe gjithëpërfshirës. Arritja e zhvillimit të koordinuar të qytetërimit material dhe atij shpirtëror është një synim fisnik i modernizimit. Kina është e gatshme të forcojë shkëmbimet njerëzore e kulturore me Afrikën, të mbështesë respektin e ndërsjellë dhe bashkekzistencën gjithëpërfshirëse mes qytetërimeve të ndryshme në procesin e modernizimit dhe sëbashku të promovojë Nismën Globale të Qytetërimit, për të patur më shumë fryte konkrete.
Duhet të nxitet bashkë modernizimi me ekologji të mirë. Zhvillimi i gjelbër është një simbol i veçantë i modernizimit në epokën e re. Kina është e gatshme të ndihmojë Afrikën të ndërtojë një "motor të rritjes së gjelbër", të ngushtojë hendekun në aksesin e energjisë, t'i përmbahet parimit të përgjegjësive të përbashkëta por të diferencuara dhe së bashku të promovojë transformimin global të gjelbër dhe me karbon të ulët.
Duhet të nxitet modernizimi paqësor dhe i sigurt. Modernizimi është i pandashëm nga një mjedis zhvillimi paqësor dhe i qëndrueshëm. Kina është e gatshme të ndihmojë Afrikën të përmirësojë aftësinë e saj për të ruajtur në mënyrë të pavarur paqen dhe stabilitetin, për të nxitur zbatimin e Nismës Globale të Sigurisë në Afrikë, për të nxitur zhvillimin me cilësi dhe siguri të lartë dhe ndërveprimet pozitive dhe për të ruajtë së bashku paqen dhe stabilitetin botëror.
Foto nga Xinhua
Të dashur miq e të ftuar!
Kina dhe Afrika kanë një të tretën e popullsisë së botës. Pa modernizimin e Kinës dhe Afrikës, nuk mund të ketë modernizim të botës. Në tre vjetët e ardhshëm, Kina është e gatshme të zhvillojë "10 veprimet e partneritetit" në kuadër të nxitjes së përbashkët të modernizimit, të thellojë bashkëpunimin me Afrikën dhe të udhëheqë modernizimin e Jugut Global.
Së pari, veprimi i partneritetit për mësimin e ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve. Kina është e gatshme që, bashkë me Afrikën, të krijojë platformën për shkëmbimin e përvojave të qeverisjes dhe rrjetin e njohurive, si edhe të ngrejë 25 qendra studimore Kinë-Afrikë. Në bazë të shkollës së lidershipit të Afrikës, do të përgatiten talentet e qeverisjes dhe do të ftohen 1000 personalitete politike e partiake të bëjnë vizita dhe të zhvillojnë shkëmbime në Kinë, për të thelluar shkëmbimin e përvojave ndërmjet Kinës e Afrikës.
Së dyti, veprimi i partneritetit për lulëzimin e tregtisë. Kina është e gatshme të zgjerojë aktivisht hapjen e tregut në mënyrë të njëanshme dhe ka marrë vendimin të ofrojë tarifa doganore zero për 100 % të produkteve të të gjitha vendeve më të pazhvilluara që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën, duke përfshirë 33 vende afrikane. Kështu, Kina do të jetë vendi i parë i madh në zhvillim dhe ekonomia e parë kryesore e botës që merr këtë masë, duke nxitur bërjen e tregut të madh kinez një mundësi të mirë për Afrikën. Kina do të zgjerojë importin e produkteve bujqësore afrikane, do të thellojë bashkëpunimin në tregtinë elektronike e fusha të tjera dhe do të zbatojë "Programin e përmirësimit të cilësisë Kinë-Afrikë". Kina është e gatshme të bisedojë dhe të nënshkruajë një marrëveshje kornizë mbi partneritetin ekonomik për zhvillim të përbashkët me Afrikën, për të ofruar garanci institucionale afatgjata, të qëndrueshme e të parashikueshme për tregtinë dhe investimet Kinë-Afrikë.
Së treti, veprimi i partneritetit për bashkëpunim mbi zinxhirin industrial. Kina është e gatshme të ndërtojë qarqe të bashkëpunimit industrial me Afrikën, të fokusohet në ndërtimin e zonës pilot për bashkëpunimin e thellë ekonomik e tregtar Kinë-Afrikë dhe të aktivizojë "Programin e fuqizimit të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla afrikane". Do të ndërtohet Qendra e Bashkëpunimit për Teknologjinë Digjitale, do të zbatohen 20 projekte demonstrimi digjitale dhe do të çelet bashkërisht raundi i ri i revolucionit teknologjik dhe i reformës industriale.
Së katërti, veprimi i partneritetit për ndërlidhjen. Kina është e gatshme të zbatojë 30 projekte infrastrukturore në Afrikë, të nxisë ndërtimtin e përbashkët cilësor të "Një brez, një rrugë" dhe të krijojë rrjetin e ndërlidhjes Kinë-Afrikë me lidhje tokësore-detare dhe zhvillim të koordinuar. Kina është e gatshme të ofrojë ndihmë për ndërtimin e Zonës së Tregtisë së Lirë Kontinentale Afrikane, të thellojë bashkëpunimin në logjistikë e financë dhe të ndihmojë në zhvillimin ndër-rajonal të Afrikës.
Së pesti, veprimi i partneritetit për zhvillim dhe bashkëpunim. Kina është e gatshme të publikojë bashkë me Afrikën një deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në kornizën e Nismës së Zhvillimit Global dhe të zbatojë 1000 projektet "të vogla, por të bukura" për jetesën e banorëve. Do të jepen fonde për Fondacionin e Partneritetit Kinë-Bankë Botërore për të dhënë mbështetje për zhvillimin e Afrikës. Do të përkrahet zhvillimi i olimpiadës së të rinjve 2026 dhe Kupës së Afrikës 2027, për të nxitur më shumë përfitime prej arritjeve të zhvillimit nga populli kinez dhe popujt e Afrikës.
Së gjashti, veprimi i partneritetit për shëndetësinë. Kina është e gatshme që, bashkë me Afrikën, të krijojë një aleancë spitalore kino-afrikane për të ndërtuar së bashku një qendër të përbashkët mjekësore. Kina do të dërgojë 2000 punonjës mjekësorë në Afrikë, do të zbatojë 20 projekte të kujdesit shëndetësor dhe kundër malarias, do të nxitë kompanitë kineze të investojnë në prodhimin e ilaçeve dhe do të vazhdojë të japë ndihmë brenda mundësive të saj kundër epidemisë në Afrikë. Do të mbështetet ndërtimi i Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të Afrikës, për të përmirësuar nivelin e shëndetit publik të vendeve afrikane.
Foto nga Xinhua
Së shtati, veprimi i partneritetit për promovimin e bujqësisë dhe rritjen e mirëqenies së njerëzve. Kina do t'i ofrojë Afrikës 1 miliard juanë si ndihmë ushqimore urgjente, do të ndërtojë zonën e demonstrimit të standardizimit bujqësor prej 100 mijë akrash, do të dërgojë 500 ekspertë bujqësorë dhe do të ndërtojë aleancën e re të teknologjisë bujqësore Kinë-Afrikë. Do të zbatohen 500 projekte të bamirësisë publike dhe do të inkurajohen ndërmarrjet kineze e afrikane të bëjnë investime dhe të nisin biznesin në mënyrë të ndërsjellë, duke e lënë vlerën e shtuar në Afrikë dhe duke krijuar mbi 1 milion vende pune për Afrikën.
Së teti, veprimi i partneritetit për shkëmbime njerëzore e kulturore. Kina është e gatshme që, bashkë me Afrikën, të nxitë thellësisht programin "Arsim profesional për të ardhmen e Afrikës", të ndërtojë bashkërisht shkolla inxhinierike e teknike, si edhe të ngrejë 10 punishte "Luban". Për vajzat e gratë dhe të rinjtë e të rejat afrikane, do të ofrohen 60 mijë vende përgatitjeje profesionale. Do të zbatohet bashkërisht projekti "Rruga kulturore e Mëndafshit" dhe "Programi i bashkëpunimit inovativ Radio-Televizion-Video-Audio". Të dy palët ranë dakord ta caktojnë vitin 2026 si "Viti i shkëmbimeve njerëzore e kulturore Kinë-Afrikë".
Së nënti, veprimi i partneritetit për zhvillimin e gjelbër. Kina është e gatshme të zbatojë 30 projekte të energjisë së pastër në Afrikë, të ndërtojë platformën e paralajmërimit meteorologjik, të zhvillojë bashkëpunim në parandalimin, pakësimin e përballimin e fatkeqësive dhe për mbrojtjen e biodiversitetit. Do të formohet Forumi i Përdorimit Paqësor të Teknologjisë Bërthamore, do të ndërtohen së bashku 30 laboratorë të përbashkët, do të zhvillohet bashkëpunim në telekomandimin satelitor dhe hulumtimin e Hënës e të hapësirës së largët, si edhe do të ndihmohet Afrika të realizojë zhvillimin e gjelbër.
Së dhjeti, veprimi i partneritetit për sigurinë e përbashkët. Kina është e gatshme që, bashkë me Afrikën, të themelojë partneritetin e zbatimit të Nismës së Sigurisë Globale, të krijojë zonën e demonstrimit të bashkëpunimit në kuadër të kësaj nisme, t'i ofrojë palës afrikane 1 miliard juanë ndihmë ushtarake falas, të trajnojë 6000 talente ushtarake e 1000 punonjës të zbatimit të ligjit të palës afrikane dhe të ftojë 500 ushtarakë të rinj të vizitojnë Kinën. Do të zhvillohen manovra dhe patrullime të përbashkëta mes ushtrive të Kinës e të vendeve të Afrikës, do të zbatohet "Veprimi mbështetës për eliminimin e fatkeqësisë së minave në Afrikë" dhe do të ruhet së bashku siguria e punonjësve dhe e projekteve përkatëse.
Për të nxitur zbatimin e "10 veprimeve të partneritetit", në tre vjetët e ardhshëm, qeveria kineze është e gatshme të ofrojë mbështetje me fonde prej 360 miliardë juanësh, duke përfshirë 210 miliardë juanë fonde kredie dhe 80 miliardë juanë ndihma të ndryshme, si edhe investime prej mbi 70 miliardë juanësh nga ndërmarrjet kineze për Afrikë. Krahas kësaj, Kina do të inkurajojë dhe do të mbështetë vendet afrikane të emetojnë të ashtuquajturat "bono panda", për të ofruar mbështetje të fuqishme për bashkëpunimin konkret Kinë-Afrikë në fusha të ndryshme.
Të dashur miq e të ftuar!
Në muajin korrik u zhvillua me sukses plenumi i 3-të i Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, ku u bënë planifikime sistemore për thellimin e mëtejshëm të reformës së gjithanshme dhe për nxitjen e modernizimit të stilit kinez. Kjo në mënyrë të thellë do të ndryshojë më tej Kinën, si edhe do të ofrojë mundësi të reja e do të japë energji të re për vendet afrikane dhe për realizimin e ëndrrës së përbashkët të modernizimit të Kinës dhe Afrikës.
Në Afrikë ka një shprehje: "Ata që ecin bashkë në rrugë janë miq të vërtetë". Në rrugën e modernizimit nuk duhet të mungojë asnjë njeri dhe asnjë vend. Le të bashkojmë fuqinë e madhe të mbi 2.8 miliardë banorëve të Kinës e të Afrikës, të ecim bashkësisht në rrugën e modernizimit, të mbështesim modernizimin e Jugut Global me modernizimin e Kinës dhe të Afrikës, të krijojmë një pikturë të re të historisë së zhvillimit njerëzor dhe të nxisim bashkërisht ecjen e botës drejt një të ardhmeje me paqe, siguri, lulëzim dhe përparim!
Faleminderit! (Jiang Lei)