Foto nga RTSH
Investimet e huaja në Shqipëri shënuan rritje me 15.2% në tremujorin e parë të këtij vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat u bënë të ditura nga ministri i Financave, Petrit Malaj, në një konferencë për shtyp.
“Indikator i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat në fund të 2023-shit shënuan një një stok prej 1.5 miliardë eurosh, me rritje prej mbi 8% në raport me stokun që kemi pasur në 2022-shin. Për tremujorin e parë 2024 kemi rritje të investimeve të huaja direkte me rreth 47 milionë euro ose me 15.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit”, tha ministri.
Sipas ministrit Malaj, rritje të të ardhurave ka edhe në Tatime e Dogana.
“Kemi rritje të të ardhurave në masën 11.4% ose mbi 22 miliardë lekë më shumë. Administrata tatimore ka kryer punë të mirë për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kemi rritje të tatimeve”, - tha ai.
Ai informoi edhe lidhur me rishikimin e buxhetit në fund të muajit gusht. “Këto ndryshime janë bërë për të pasur një ndikim më të lartë social. Ndërkohë edhe investimet në infrastrukturë, shëndetësi, energji, bujqësi e turizëm janë mbajtur në fokus”, nënvizoi ministri. (Elona)