foto nga Xinhua
Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe kryeministri i Sao Tome dhe Principes Patrice Trovoada shpallën ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në partneritet strategjik.
Xi u takua të enjten pasdite në Pekin me kryeministrin Trovoada, që gjendet në Kinë për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024.
Ndër të tjera, Xi vuri në dukje se, vitet e fundit, Kina e Sao Tome dhe Principe kanë ruajtur prirjen e mirë të zhvillimit dhe të dy vendet kanë pasur rezultate frytdhënëse në bashkëpunimin pragmatik. Faktet tregojnë se rikthimi i Sao Tome dhe Principes në familjen e madhe të miqësisë kino-afrikane përputhet krejtësisht me interesat e përbashkët të të dy vendeve. Pala kineze do të përkrahë si kurdoherë përpjekjet e Sao Tome dhe Principes për nxitjen e përparimit kombëtar e të zhvillimit ekonomik dhe do të nxitë partneritetin strategjik ndërmjet të dy vendeve për t'u sjellë më shumë të mira të dy popujve.
Xi theksoi se të dyja palët duhet ta përkrahin njëra-tjetrën lidhur me interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të tyre. Të dy vendet duhet të diskutojnë për zhvillimin e bashkëpunimit në fushat e turizmit, bujqësisë, peshkimit, infrastrukturës etj., në mënyrë që Sao Tome dhe Principe të përfitojë më shumë prej rezultateve të këtij samiti. Pala kineze dëshron të forcojë shkëmbimet dhe bashkërendimin me Sao Tome dhe Principen në çështjet ndërkombëtare e rajonale, duke mbrojtur interesat e përbashkët të të dy vendeve dhe të vendeve në zhvillim.
foto nga Xinhua
Të dyja palët publikuan "Deklaratën e përbashkët për krijimin e partneritetit strategjik ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës Demokratike të Sao Tome dhe Principes". (Wang Lei/ Artan)