Ukraina po ndërton centralin bërthamor më të madh në Europë
2024-09-05 14:23:01

Foto nga VCG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se sulmet ruse kanë shkatërruar rreth 50% të kapaciteteve të vendit për prodhimin e energjisë elektrike që nga fundi i marsit, bën të ditur “Panorama”.

Sipas medieve, Ukraina i është drejtuar kompanisë amerikane energjetike, “Westinghouse”, duke i kërkuar ndihmë për zhvillimin e reaktorëve bërthamorë të gjeneratës së ardhshme për plotësimin e nevojave të energjisë elektrike. 

Përpara agresionit të Rusisë në vitin 2022, energjia bërthamore plotësonte gjysmën e nevojave të Ukrainës dhe vendi varej nga Rusia vetëm për karburant dhe shërbime bërthamore. Konflikti i dha fund tregtisë mes dy vendeve.

Presidenti Zelenskyy tha se që nga fundi i marsit, sulmet ruse kishin shkatërruar rreth gjysmën e aftësisë së vendit për të prodhuar energji elektrike.

“Situata e burimeve energjetike të Ukrainës ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga pushtimi i centralit bërthamor Zaporizhzhia, pushtimi i pothuajse një të tretës së infrastrukturës së energjisë së gjelbër dhe shkatërrimi i një pjese të madhe të aftësive të prodhimit të energjisë termike”,- deklaroi Stanislav Ignatiev nga Shoqata ukrainase e Energjisë së Rinovueshme.

Në centralin bërthamor Khmelnytskyi në Ukrainën perëndimore, punonjësit po ndërtojnë dy reaktorë të rinj bërthamorë me ndihmën e gjigantit amerikan të energjisë, “Westinghouse”.

Drejtori i përgjithshëm i centralit bërthamor “Khmelnytskyi” deklaroi se zona e centralit bërthamor është gati për ndërtim, pasi kanë përfunduar proceset e tjera për planifikimin e territorit, logjistikën dhe sistemin e ndërlidhjes.

Kompanitë “Westinghouse” dhe “Energoatom” ranë dakord në vitin 2022 për ndërtimin në Ukrainë të nëntë reaktorëve të rinj bërthamorë, bazuar në teknologjinë amerikane.

Ndërtimi i një reaktori bërthamor kërkon pesë vite dhe ka një kosto prej pesë miliardë dollarësh.(Elona)