Kryediplomati shqiptar pret homologen finlandeze: BE-ja të forcojë lidhjet me Ballkanin
2024-09-05 17:20:20

Foto nga RTSH

Forcimi i sigurisë, integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Finlandës ishin të fokus të takimit të ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, dhe homologes së tij finlandeze, Elina Valtonen.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, ministri Hasani e vuri theksin në rritjen e rolit të NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor, bën të ditur “RTSH”. Duke vlerësuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Finlandës, ministri Hasani tha se duhet të rritet bashkëpunimi ekonomik dhe investimet finlandeze në Shqipëri.

Edhe ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen, tha se Ballkani e ka vendin në BE dhe se duhet të plotësojë sa më shpejt kriteret për t’u anëtarësuar.

“Të rrisim bashkëpunimin edhe në fushën e ekonomisë dhe të jemi aktiv në rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Si aleatë ne do të fokusohemi te siguria dhe do të kemi mundësi në të ardhmen që të bashkëpunojmë në energjinë e rinovueshme. Ballkani është në zemër të Europës dhe në situatën aktuale ne kemi nevojë që të punojmë më intensivisht së bashku. BE dhe Ballkani duhet të përforcojnë edhe më tej lidhjet e tyre dhe të forcojnë bashkëpunimin ekonomik”,- u shpreh ministrja Valtonen. (Elona)