Foto nga VCG
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, njoftoi largimin nga dikasteri që ai drejton, si pjesë e një riorganizimi të madh të qeverisë.
43-vjeçari Kuleba mori drejtimin e Ministrisë së Jashtme në vitin 2020, përpara nisjes së konfliktit me Rusinë.
Kryetari i Parlamentit, Ruslan Stefanchuk, publikoi në rrjetet sociale një kopje të kërkesës së shkruar me dorë të Kuleba për t’u larguar nga qeveria, bën të ditur “ATSH”. Sipas tij, kërkesa do të diskutohet në seancën e ardhshme parlamentare.
Kërkesa e Kulebës është një nga dorëheqjet e shumta të paraqitura që nga e marta.
Olexander Kamyshin, i cili është përgjegjës për industrinë e mbrojtjes, ministri i Drejtësisë, Denys Maliuska, dhe ministri i Mjedisit, Ruslan Strilets, njoftuan gjithashtu dorëheqjen.
Vitaly Koval, kreu i Fondit të Pronës Shtetërore përgjegjës për privatizimin, gjithashtu dëshiron të largohet nga detyra.
Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi një riorganizim të qeverisë në korrik.
Një listë e të emëruarve të rinj pritet të shpallet në një takim të partisë së Zelensky-t. (Elona)