Ministrja Manastirliu: Mbështetja financiare për sportistët elitarë, ndër më të mirat në rajon
2024-09-05 09:53:07

Foto nga VCG

Në ceremoninë për nderimin e sportistëve medalistë të mundjes, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, që sollën për të parën herë në historinë e Shqipërisë dy medalje olimpike të fituara në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ministrja e Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë nëpërmjet buxheteve të rritura dhe mbështetjen direkte me një sistem shpërblimi financiar, që është ndër më të mirët në rajon e më gjerë.

Medaljet e fituara në Paris, ministrja i cilësoi arritje dhe sukses kombëtar, shkruan “ATSH”.

“Këto medalje nuk janë thjesht një arritje individuale, janë një sukses kombëtar, që na bën të ndihemi të gjithë krenarë, por edhe më të vendosur për të investuar në sport, që Shqipëria të mbërrijë në maja të reja në arenën ndërkombëtare”,- tha ministrja Manastirliu, duke vënë theksin tek investimet në infrastrukturën sportive. Ministrja Manastirliu foli gjithashtu për shtimin e disiplinave sportive dhe rritjen e angazhimit të nxënësve në ekipet sportive në shkolla.

“Ne nxisim dhe mbështesim sportin për të gjithë, ashtu siç e kemi nisur me lëvizjen sportive në shkolla, programi më i madh kombëtar, që ka angazhuar mbi 10 mijë fëmijë e ka bërë të mundur ngritjen e 480 ekipeve sportive në shkolla. Ambicia jonë është shtrirja e mëtejshme, përmes shtimit të disiplinave të reja sportive dhe përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në të gjitha ciklet e edukimit”,- tha ministrja Ogerta Manastirliu. (Elona)