foto nga Xinhua
Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe presidenti i Ruandës Paul Kagame shpallën ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në partneritet të gjithanshëm strategjik, gjatë takimit që patën të enjten në mbrëmje në Pekin. Kagame gjendet në Kinë për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024.
Xi theksoi se Kina e përkrah Ruandën të ndjekë një rrugë të pavarur zhvillimi dhe është e gatshme që bashkë me palën ruandeze të thellojnë shkëmbimet mbi përvojën e qeverisjes së vendit dhe të partisë, të shtojnë besimin politik reciprok, të zgjerojnë konsensusin dhe të ecin krah për krah në rrugën e modernizimit të secilit vend.
Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje më tej se pala kineze dëshiron të përpiqet bashkë me palën ruandeze për konkretizimin e rezultateve të këtij samiti, të forcojnë bashkëpunimin infrastrukturor, bujqësor, në përdorimin e satelitëve etj. dhe të organizojnë bashkërisht Institutin "Konfuci" në Universitetin e Ruandës dhe punishten "Luban", për të arritur më shumë rezultate prej bashkëpunimit në kuadrin e nismës "Një brez, një rrugë". Kina do të thellojë bashkëpunimin me Ruandën edhe në paqeruajtje.
foto nga Xinhua
Të dyja palët shpallën "Deklaratën e përbashkët ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Ruandës mbi nxitjen e konkretizimit të tre nismave globale".
Në kuadër të samitit, të dy vendet nënshkruan disa dokumente dypalëshe mbi eksportin e mjaltit nga Ruanda në Kinë dhe në fushat e telekomunikacionit digjital, të mediave etj. (Wang Lei/ Artan)