Mes punës dhe familjes, Kristina Papa flet për punën në krye të Intercom
2024-09-05 10:59:30

Biznesi  ( Foto Business News Daily)

Biznesi  ( Foto Business News Daily)

Në vitet 90-të, pasi jetoi dy vite në Greqi, Kristina Papa u kthye në Shqipëri për të përfunduar studimet e larta, në vitin ’96, në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Me konsolidimin e dijeve, në atë periudhë bashkë me bashkëshortin, themeluan kompaninë e parë të tregtimit të kondicionerëve “Alb-Klima”. Duke marrë shkas nga zhvillimi i dukshëm i viteve të fundit në sektorin e telekomunikacionit dhe perspektivat e mëtejshme të rritjes së këtij tregu, në vitin 2001, znj. Papa themeloi kompaninë “Intercom”, partner zyrtar i telefonisë celulare AMC në atë kohë dhe sot ONE. Në një intervistë për Revistën Monitor sipërmarrësja Papa flet për impenjimin e saj në  kompani dhe e vlerësoi rolin e gruas të rëndësishëm në shoqëri dhe sipërmarrjen private.

Gratë ne biznes (Foto Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë)

Gratë ne biznes (Foto Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë)

“Në vitet 90-të,  vite të vështira me ndërrimin e sistemit që na lejoi lirinë, edhe unë si gjithë të tjerët pata një eksperiencë të shkurtër në shtetin fqinj në Greqi. U ktheva shumë shpejt për të vazhduar studimet e larta, në vitet 92-96. Në atë kohë paralelisht menaxhoja dhe një biznes që sapo ishte hapur dhe tregu ishte shumë kërkues për të gjitha llojet e profesioneve dhe unë doja që të kisha mundësi të zhvillohesha. Kjo përkoi edhe me përfundimin e studimeve të larta dhe mendova se isha rritur disi që të hapja një kompani timen me shokun tim, tashmë bashkëshorti im. Në 96-ën krijuam një kompani ku menduam që të merreshim me tregtimin e kondicionerëve, të sistemeve të ngrohje-ftohjes, ku dukshëm suksesi ishte i sigurt sepse ishim dy veta që merreshim dhe njëkohësisht menduam që të bënim më të mirën. Më pas në vitin 2000-2001 krijuam një kompani tjetër, e cila në vitin 2001 u bë partner me kompaninë telefonike AMC në atë kohë dhe sot ONE.

Më pas filluam duke u zgjeruar dhe duke u rritur në këtë kompani. Në periudhën nga 2001 deri në 2010 u përballëm me shumë vështirësi, krijuam një staf të madh, ndërsa sot ne kemi 35 dyqane ekskluzive zyrtare të telefonisë ONE, si dhe një kanal rrjeti ekskluziv që japim aksese rreth 130 pika në të gjithë Shqipërinë. Këto vite na mësuan shumë gjëra dhe mua personalisht më rritën në të gjitha aspektet.”

Kristina Papa (Foto Revista Monitor )

Kristina Papa (Foto Revista Monitor )

Sipërmarrësja  Papa tregon për ditën e saj të punës.

“Në fakt tashmë puna mua më ka mësuar shumë gjëra. Startimi  i ditës mund të jetë me ndonjë mbledhje grupi, e skeduluar një ditë më parë, mund të jetë me takime të ndryshme dhe dita më normale e punës është të pi një kafe në zyrën time, të shikoj emailet në inbox-in tim, t’i delegoj ato në departamentet përkatëse, t’i jap përgjigje dhe njëkohësisht të bëj biseda me të gjithë kolegët e mi, në zyra, atje ku ne mbështesim gjithë rrjetin tonë të shitjeve me pakicë.”-tha Papa

Gruaja mbetet forcë shumë e madhe në shoqëri dhe biznesin privat, por gjithmonë pranë familjes.

“Unë i kam munguar familjes time në vitet e mëparshme dhe vitet e fundit ata më kanë mbështetur edhe kur u kam munguar por vitet e fundit unë jam gjithmonë me ta. Unë kam dy fëmijë, të cilët janë studentë  në Londër dhe ndaj me ta shumë biseda, u flas atyre për punën, flasim për shkollën e tyre, për shoqërinë, mundohem që të tregoj vlerat e një nëne, të një motre, të një shoqes së tyre dhe besoj se e kam kryer deri diku misionin tim me ta. Ata tashmë janë zogj të lirë dhe kanë gjetur rrugën e tyre dhe janë bërë djem shumë të mirë. Njëri nga djemtë më thoshte që mami ne të kemi shembull ty”.

Kompania  Intercom ka prej vitit 2000 në treg me një veprimtari të gjerë.

Kompania Intercom (Foto Facebook)

Kompania Intercom (Foto Facebook)

“Intercom është një kompani shërbimesh, ne përgatisim forca shitëse, merremi me trajnime, i trajnojmë të gjithë që duan t’i bashkohen kompanisë tone. Në mënyrë progresive ata rriten  aty dhe dalëngadalë marrin edhe poste më të larta dhe në fund fare ky është qëllimi ynë që të progresojmë, të rrisim fitimet dhe të jemi sa më dinjitoz përballë klientit final.”

Sipas  biznesmenes Papa, edhe pse mjedisi i të bërit biznes është përmirësuar ndjeshëm dhe një grua e ka më të lehtë të jetë sipërmarrëse e suksesshme, sot nuk ofrohen shumë stereotipa për fuqizimin e saj.