Foto nga VCG
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, dhe disa figura tjera të larta të këtij grupi palestinez, për sulmet vdekjeprurëse të 7 tetorit 2023 në Izrael.
Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri të ditur se ka paditur gjashtë anëtarë të Hamasit me shtatë akuza, përfshirë vrasje të shtetasve amerikanë, komplot për të financuar terrorizmin dhe përdorim të armëve për shkatërrim në masë, shkruan “Panorama”.
Në padi përfshihen dhe sulmet që dyshohet se janë kryer në dekada nga Hamasi, si dhe sulmi i pashembullt në jug të Izraelit një vit më parë.
Ky është hapi i parë i zyrtarëve amerikanë për zbatim të ligjit, për t’i mbajtur përgjegjës personat që e kanë kryer sulmin e 7 tetorit, ndonëse tre prej personave të përfshirë në padi janë të vdekur, ndërsa Sinwar besohet se fshihet nëpër tunele brenda Gazës.
Prokurori i përgjithshëm amerikan, Merrick Garland, deklaroi përmes një videoje se të pandehurit janë përgjegjës për financim dhe drejtim të një fushate të gjatë me dekada për vrasje të shtetasve amerikanë dhe rrezikim të sigurisë së SHBA-së.
Përveç 1200 të vrarëve, militantët e Hamasit morën peng edhe mbi 240 persona në sulmin në Izrael.
Ushtria izraelite ka nisur një fushatë ushtarake tokësore dhe ajrore me qëllim të shkatërrimit të grupit. Si pasojë e luftës janë vrarë më shumë se 40.000 njerëz në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. (Elona)