foto nga Xinhua
Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij ganez Nana Addo Dankwa Akufo-Addo shpallën ngritjen e nivelit të marrëdhënieve Kinë-Ganë në partneritet strategjik gjatë takimit që patën të enjten pasdite.
Akufo-Addo ndodhet në Pekin për të marrë pjesë në Samitin e Forumit mbi Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) për vitin 2024.
Xi tha se Kina është e gatshme të forcojë lidhjen e strategjive të zhvillimit me Ganën dhe të vazhdojë të ofrojë ndihmë brenda mundësive të saj për zhvillimin ekonomik të Ganës dhe lidhur me përmirësimin e jetës së popullit ganez.
Pala kineze është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me palën ganeze në fushat e bujqësisë, të peshkimit, energjisë, burimeve minerare e infrastrukturës dhe shpreson se Gana do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen dhe lehtësinë e duhur për sipërmarrjet dhe shtetasit kinezë, vuri në dukje më tej kreu i shtetit i Kinës.
Xi tha se Kina e mbështet punën e Ganës si anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara gjatë periudhës 2024-2026 dhe është gati të zgjerojë koordinimin strategjik me Ganën në çështjet ndërkombëtare e rajonale.
foto nga Xinhua
Nga ana e tij, presidenti Akufo-Addo tha se gjatë mbi 60 vjetëve, Kina ka qenë mikja dhe partnerja më e besueshme e Ganës. Pala ganeze ndjek me vendosmëri politikën e "një Kine" dhe përkrah qëndrimin e palës kineze mbi çështjen e të drejtave të njeriut. Gana shpreson të zgjerojë më tej bashkëpunimin me Kinën në fushat e energjisë elektrike, të mineraleve e të energjive të reja dhe është e gatshme t'u krijojë lehtësi ndërmarrjeve kineze. Pala ganeze do të përpiqet bashkë me palën kineze për konkretizimin e masave të paraqitura nga presidenti Xi për nxitjen e përbashkët të modernizimit nga Afrika dhe Kina. (Wang Lei/ Artan)