Stacioni i kërkimeve hënore i Kinës mirëpret partnerë të rinj ndërkombëtarë
2024-09-05 20:09:31

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Nisma ambicioze e Kinës për të ngritur një stacion ndërkombëtar të hulumtimit të Hënës ka mirëpritur partnerë të rinj të bashkëpunimit global. 

Gjatë ceremonisë së hapjes së një konference dyditore në Tunxi të provincës lindore të Kinës Anhui të enjten, Administrata Kombëtare e Hapësirës e Kinës (CNSA) dhe homologia e saj e Senegalit nënshkruan një marrëveshje mbi bashkëpunimin lidhur me Stacionin Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore (ILRS).

Në këtë konferencë Laboratori i Eksplorimit të Hapësirës së Thellë (DSEL) i Kinës nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me dhjetë institucione nga vende që përfshijnë Serbinë, Zvicrën, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezinë, Pakistanin, Panamanë dhe Afrikën e Jugut. 

Gjithashtu, ndërmjet institucioneve janë Aleanca për Shkencën dhe Teknologjinë "Një brez, një rrugë", Fondacioni për Zhvillimin e Hapësirës i Afrikës dhe Aleanca e Biznesit e Afrikës. 

Më 2017, CNSA shpalli zyrtarisht nismën e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare për Stacionin Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore. Deri më tani, mbi 40 institucione nga e gjithë bota kanë nënshkruar dokumente bashkëpunimi me Kinën.

Wu Weiren, drejtor dhe kryeshkencëtar i DSEL-it, tha në konferencë se ILRS-ja respekton parimet e këshillimit, ndërtimit e përfitimeve të përbashkëta, për të forcuar përpjekjet e bashkëpunimit me partnerët botërorë. 

ILRS-ja është një strukturë shkencore eksperimentale që përbëhet nga pjesë në sipërfaqen hënore, në orbitën hënore dhe në Tokë. Ajo është projektuar për të qenë një sistem i zgjerueshëm dhe i mbajtshëm, i aftë për funksionim robotik afatgjatë me pjesëmarrje njerëzore afatshkurtër në Hënë. 

Projekti do të zbatohet në dy faza. Gjatë fazës së parë do të formohet një model bazë deri më 2035 në rajonin e Polit Jugor të Hënës. (Artan)