Ukrainë, riorganizohet kabineti qeveritar pas dorëheqjes së disa ministrave
2024-09-05 10:01:16

Foto nga VCG

Disa ministra në Ukrainë dhanë dorëheqjen, gjë që çon në riorganizimin e kabinetit qeveritar. “Kërkesat e tyre do të shqyrtohen në seancën e ardhshme parlamentare”,- shkroi në “Facebook” kryetari i Parlamentit, Ruslan Stefanchuk, citon “ATSH”.

Ministrat në fjalë janë Olexander Kamyshin, i cili ishte në krye të dikasterit të Industrisë së Mbrojtjes, ministri i Drejtësisë, Denys Maliuska, dhe ministri i Mjedisit, Ruslan Strilets.

Vitaly Koval, kreu i Fondit të Pronës Shtetërore, përgjegjës për privatizimin, gjithashtu kërkon të largohet nga detyra.

Po ashtu u njoftuan edhe dorëheqjet e nënkryetareve të qeverisë Olha Stefanishyna dhe Iryna Vereshchuk. Vereshchuk është përgjegjëse për çështjet e refugjatëve, ndërsa Stefanishyna për integrimin europian.

Kreu i grupit parlamentar të partisë presidenciale Shërbëtorët e Popullit, David Arakhamia, njoftoi se do të bëhen ndryshime të tjera në kabinet.

Sipas Arakhamia, do të ketë emërime të reja në më shumë se gjysmën e të gjitha ministrive.

Ndërkohë, kreu i operatorit të rrjetit elektrik “Ukrenergo” do të duhet gjithashtu të zëvendësohet, pas raporteve se kreu i tij Volodymyr Kudrytskyi ishte shkarkuar nga bordi i drejtorëve të kompanisë shtetërore.

Kudrytskyi drejtoi “Ukrenergo” që nga viti 2020, por kohët e fundit u fajësua për masat joadekuate mbrojtëse për nënstacionet e vendit kundër sulmeve me dron dhe raketa ruse.

Që nga sulmi masiv me raketa dhe dron rus në infrastrukturën energjetike të Ukrainës në fillim të javës së kaluar, Ukraina ka përjetuar sërish ndërprerje të paplanifikuara të energjisë. (Elona)