Foto nga VCG
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se qeveria britanike mori një vendim të turpshëm kur pezulloi licencat e eksportimit të disa llojeve të armëve në Izrael, shkruan “Panorama”.
Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, njoftoi disa ditë më parë se qeveria britanike ka pezulluar 30 prej 350 licencave të eksportimit të armëve me Izraelin, për shkak të rrezikut se ato mund të përdoren për të kryer shkelje të rënda të ligjit humanitar ndërkombëtar.
Eksporti i armëve britanike përbën më pak se 1 për qind të totalit të armëve që importon Izraeli, prandaj ministri tha se pezullimi nuk do të kishte ndikim material në sigurinë e Izraelit dhe se Britania vazhdon ta mbështesë të drejtën izraelite për vetëmbrojtje.
Vendimi, i cili u mor një ditë pasi forcat izraelite nxorën trupat e pajetë të gjashtë pengjeve nga një tunel në Rripin e Gazës, u dënua nga një sërë ministrash izraelitë.
“Ky vendim i turpshëm nuk do ta ndryshojë përkushtimin e Izraelit për ta mposhtur Hamasin, i cili është organizatë terroriste që vrau egërsisht 1200 njerëz më 7 tetor, përfshirë 14 shtetas britanikë. Hamasi ende po mban mbi 100 pengje, përfshirë 5 shtetas britanikë. Në vend që të qëndrojë përkrah Izraelit, një demokraci që mbron veten nga barbarizmi, vendimi i gabuar i Britanisë vetëm sa do ta forcojë Hamasin”,- tha Netanyahu në një postim në rrjetet sociale.
Ai shtoi se me apo pa armët britanike, Izraeli do ta fitojë këtë luftë dhe do ta sigurojë të ardhmen e përbashkët. (Elona)