Kryeministri Rama pret medalistët e “Paris 2024”, premton më shumë mbështetje
2024-09-05 09:49:27

Foto nga ATSH

Kryeministri Edi Rama ka premtuar më shumë mbështetje për federatat dhe Komitetin Olimpik Shqiptar, sidomos në ato disiplina ku ka potencial për rritje të numrit të medaljeve në lojërat olimpike e kampionate të ndryshme.

Në pritjen e organizuar në kryeministri për dy medalistët Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, të cilët shkruan historinë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, kreu i qeverisë tha se këto medalje janë rezultat i një pune të madhe.

Sipas kryeministrit, Shqipëria është shndërruar nga një vend që braktisej nga sportistët, në një vend që po adopton sportistë nga vendet e huaja, citon “RTSH”.

“Nderojmë dy sportistë të jashtëzakonshëm që nuk kanë lindur në Shqipëri, nuk e kanë filluar karrierën e tyre në Shqipëri, por kanë zgjedhur Shqipërinë për të vazhduar për të ushtruar pasionin e tyre dhe për të synuar majat e botës. Shqipëria nga një vend që braktisej nga bijtë e vet, sepse nuk i garantonte dot as ushqimin, dhe humbiste njëri pas tjetrit potenciale që ktheheshin medalje ari për vendet fqinje, është kthyer në një vend që mund të adoptojë fëmijë që vijnë nga vendet e tjera. Nëse do të ishte Shqipëria e djeshme askush nuk do të vinte që ta  përfaqësonte këtë vend. Sot ka një arsye për të ardhur, sidomos kur bëhet fjalë për sporte individuale. Shqipëria ka arritur të krijojë një kuadër mbështetjeje ndër më tërheqësit në rajon”,- theksoi kryeministri Rama. (Elona)