Kina dhe Botsvana shpallin krijimin e partneritetit strategjik
2024-09-05 18:42:09

foto Xinhua

Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të enjten në Pekin me homologun e tij të Botsvanës Mokgweetsi Masisi, që ka ardhur në Kinë për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024. Të dy krerët e shtetit shpallën krijimin e partneritetit strategjik ndërmjet të dy vendeve.

Duke vënë në dukje se Kina e Botsvana kanë një miqësi tradicionale dhe i kanë dhënë gjithmonë njëra-tjetrës përkrahje të sinqertë, Xi shtoi se vitin e ardhshëm do të jetë 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Me këtë rast, Kina dhe Botsvana duhet të përgjithësojnë përvojën e suksesshme të fituar gjatë gjysmë shekulli dhe të vijojnë të jenë partnere të njëra-tjetrës me besim reciprok, zhvillim të përbashkët dhe me lidhjen midis dy popujve. Të dyja vendet duhet të forcojnë më tej bashkëpunimin në fushat e industrisë, bujqësisë, minierave, energjisë së pastër, arsimit, mjekësisë e shëndetësisë etj.

Xi theksoi se aktualisht vrulli i bashkëpunimit kino-afrikan është i fortë dhe kjo jo vetëm u ka sjellë popullit kinez e popujve afrikanë të mira konkrete, por edhe ka nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar me Afrikën, duke i krijuar Afrikës kushte të favorshme për zhvillimin dhe lulëzimin. Pala kineze është e gatshme që të përpiqet bashkë me palën botsvanase për të konkretizuar rezultatet e këtij samiti të FOCAC-ut, në të mirë të të dy popujve.

foto Xinhua

Nga ana e tij, presidenti Masisi tha se sot është një moment historik për marrëdhëniet afrikano-kineze. "Në fjalimin e mrekullueshëm të presidentit Xi, të porsambajtur në ceremoninë e hapjes së samitit të FOCAC-ut, u shpallën masat e reja të veprimeve të partneritetit Kinë-Afrikë për nxitjen e përbashkët të modernizimit, duke përfshirë politikën e hapjes së mëtejshme ndaj Afrikës. Kjo e frymëzon shumë palën afrikane. Botsvana e përkrah plotësisht këtë fjalim dhe beson se vizioni i përshkruar në këtë samit pa dyshim do të realizohet," tha ai. 

Masisi theksoi më tej se pala botsvanase respekton me vendosmëri parimin e "një Kine" dhe beson se populli kinez duhet dhe është plotësisht në gjendje të realizojë bashkimin e vendit. Botsvana është e gatshme që, duke shfrytëzuar rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, t'i çojë përpara këto marrëdhënie. (Wang Lei/ Artan)