Turiste (Foto RTSH)
Shqipëria ka shënuar një rritje me mbi 200% të numrit të pasagjerëve gjatë muajit korrik të këtij viti krahasuar me korrikun e 2019, periudha para pandemisë. Këto janë të dhënat e Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, ku Shqipëria kryeson renditjen për fluksin dhe rritjen e numrit të pasagjerëve, bën të ditur “RTSH”. Shifrat tregojnë se Shqipëria po preferohet shumë edhe nga vendet si Japonia, Australia dhe Zelanda e Re.
Foto nga VCG
Të dhënat janë komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili u kthen përgjigje edhe kritikëve apo deklaratave se Shqipëria ka qenë e boshatisur nga turistët këtë vit.
“Kjo është pasqyrë shumë e qartë e “boshatisjes” së Shqipërisë nga turistët këtë vit. Është e habitshme, po jo edhe aq, që ky sukses i cili po e ngre vazhdimisht imazhin e Shqipërisë në botë, përveçse po sjell vlera të reja të shtuara për ekonominë, disa shqiptarëve mes nesh u acaron nervat dhe u nxjerr nga goja gjithfarë çudirash. Ka prej tyre që thonë se këta miliona njerëz që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë këtë vit qenkan të tërë shqiptarë të larguar nga qeveria e poshtër, të cilët vijnë për të parë njerëzit e tyre. Po edhe sikur të ishte e vërtetë kjo çudi dhe 4 mijë japonezët, 20 mijë australianët apo 35 mijë kanadezët që kanë zbritur këta muaj nga avionët në Tiranë të jenë të gjithë shqiptarë, pyetja është: pse nuk erdhën më parë dhe çfarë i solli këtë vit?”- shkruan Rama.
Foto nga VCG
Shqipëria po kthehet në një destinacion të preferuar për turistët e huaj, ku gjithnjë e më shumë mediat prestigjioze të huaja i kanë kushtuar shkrime bukurive të natyrës së vendit dhe kanë rekomanduar pushimet në ujërat e kristalta të rivierës shqiptare. (Elona)