Foto nga VCG
Kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar se Izraeli nuk do të heqë dorë nga kontrolli mbi korridorin e Filadelfit, një brez 14 kilometra në kufirin midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit, pavarësisht nga zemërimi i protestuesve.
“Ne nuk do të largohemi prej andej”,- tha Netanyahu në një konferencë për shtyp duke e quajtur praninë ushtarake të Izraelit një domosdoshmëri strategjike dhe politike për vendin, shkruan “ATSH”.
Por nëse ushtria mbetet në zonë, atëherë një marrëveshje për një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi ka të ngjarë të jetë jashtëzakonisht e vështirë.
Si Hamasi, ashtu edhe Egjipti, po kërkojnë që Izraeli të tërheqë trupat e tij.
Netanyahu tha se Hamasi do të paguante një çmim shumë të lartë për vdekjen e gjashtë pengjeve izraelitë, trupat e të cilëve u zbuluan në një tunel nëntokësor në jug të Rripit të Gazës gjatë fundjavës.
Sipas raporteve të mediave, Ministria izraelite e Shëndetësisë bëri të ditur se pengjet ishin qëlluar nga një distancë e afërt.
“Kërkoj falje që nuk ia dolëm t’i sjellim të gjallë në shtëpi”, - shtoi Netanyahu.
Mijëra njerëz protestuan në Izrael duke kërkuar një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Ata akuzojnë Nentanyahun se i jep përparësi kontrollit ushtarak mbi kufirin Gaza-Egjipt në kurriz të përpjekjeve për lirimin e pengjeve izraelite. (Elona)