Guvernatori Sejko me delegacionin nga “Moody’s Analytics”: Përfitime nga integrimi në sistemin europian të pagesave
2024-09-04 10:54:37

Foto nga ATSH

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me një delegacion nga “Moody’s Analytics”. Në fokus të takimit ishte prezantimi dhe analizimi i situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në Shqipëri,  si dhe diskutimi i mundësive të bashkëpunimit midis dy institucioneve, shkruan “ATSH”.

Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive, pavarësisht sfidave të shumta dhe serioze me të cilat është përballur gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se Shqipëria gëzon një rritje ekonomike solide, inflacion të ulët dhe nën kontroll, si dhe përmirësim të ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Më tej, guvernatori nënvizoi se përditësimi i parashikimeve sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë do të vijojë edhe në të ardhmen.

Përfaqësuesit e “Moody’s” vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit. Ata theksuan se integrimi i mëtejshëm i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në sistemin europian të pagesave do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme, por edhe një sërë sfidash në përmirësimin e politikëbërjes, hartimit dhe zbatimit të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator. (Elona)