foto nga Xinhua
Gjatë takimit që patën të mërkurën në Pekin, presidenti i Kinës Xi Jinping dhe kryetari i Këshillit Presidencial të Libisë Mohamed al-Menfi shpallën krijimin e partneritetit strategjik Kinë-Libi.
Menfi ndodhet në Pekin për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024.
Xi vuri në dukje në takim se Kina dhe Libia kanë miqësi tradicionale. Pala kineze është e gatshme të thellojë besimin reciprok me palën libiane dhe të zgjerojë shkëmbimet e bashkëpunimin, për të çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve.
Xi theksoi se Kina dëshiron të forcojë dialogun e bashkëpunimin me vendet afrikane e vendet arabe dhe është e gatshme që, bashkë me palën libiane, të forcojë shkëmbimet shumëpalëshe në OKB dhe në organizata të tjera, të konsolidojë bashkërendimin dhe solidaritetin e vendeve të Jugut Global dhe të mbrojë interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim dhe barazinë e drejtësinë ndërkombëtare.
foto nga Xinhua
Nga ana e tij, Menfi tha se ky samit do të krijojë mundësi historike për zhvillimin e marrëdhënieve Libi-Kinë dhe Afrikë-Kinë. Kina është shumë e rëndësishme për Libinë, si nga perspektiva e paqes, ashtu edhe e ekonomisë, theksoi ai. Pala libiane mirëpret pjesëmarrjen e ndërmarrjeve kineze në rindërtimin ekonomik të Libisë dhe do t'u krijojë atyre një mjedis të mirë. Libia do të respektojë me vendosmëri parimin e "Një Kine" dhe kjo nuk do të ndryshojë në asnjë rrethanë. (Wang Lei/ Artan)