Krahinat perëndimore të Kinës (përfshirë ato veriperëndimore dhe jugperëndimore) shtrihen në 12 provinca dhe rajone autonome, duke zënë 72% të territorit tokësor të vendit dhe 27% të popullsisë kombëtare. Këto krahina kanë burime të pasura natyrore, mundësi të mëdha zhvillimi dhe një pozicion të rëndësishëm gjeografik. Për shkak të kufizimeve natyrore dhe faktorëve historikë e shoqërorë, ekonomia e këtyre zonave është më e prapambetur se e zonave lindore të vendit.
Në vitin 1999, qeveria qendrore e Kinës nisi zbatimin e një strategjie për zhvillimin e krahinave perëndimore. Vitet e fundit, lidershipi i ri ka marrë masa të shumta për nxitjen e mëtejshme të zhvillimit vendor, duke formuar një model të ri zhvillimi. Në Zonën e Re të qytetit Lanzhou të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore, në vetëm 30 minuta mund të hapet një biznes i ri.
Një fermë për zhvillimin e bujqësisë moderne në Zonën e Re të Qytetit Lanzhou(Foto:VCG)
Kontejnerë në një stacion hekurudhor të Zonës së Re të qytetit Lanzhou(Foto:VCG)
Shpejtësia është një dëshmi e fuqisë së reformave. Vitet e fundit, Zona e Re ka thjeshtësuar ndjeshëm procedurat administrative, duke mundësuar që më shumë se 2800 dokumenta të trajtohen në internet. Lidhur me menaxhimin e marrëdhënieve midis qeverisë dhe tregut, autoritetet vendore janë përkushtuar për të krijuar një mjedis tregu më të drejtë dhe më dinamik, përmes thellimit të reformave sistematike dhe institucionale. Falë këtyre përpjekjeve, kompanitë e sapokrijuara në këtë zonë, kanë patur një rritje vjetore në numër mbi 20% vitet e fundit. Në gjysmën e parë të vitit, u krijuan më shumë se 10,000 njësi biznesi.
Këshilli i Shtetit miratoi në vitin 2012 Zonën e Re e qytetit Lanzhou, si zona e pestë e zhvillimit ekonomik në nivel kombëtar. Ajo ishte gjithashtu zona e parë e zhvillimit të ri në nivel shtetëror në veriperëndim të vendit. Dekadën e kaluar, PBB-ja rajonale e Zonës u rrit nga më pak se 500 milionë juanë (rreth 70 milionë dollarë) në 37.5 miliardë juanë.
Krijimi dinamikave të reja
Zona e Re e qytetit Lanzhou është një shembull si reforma po gjallëron rajonin perëndimor të Kinës, duke e kthyer këtë rajon, dikur të pazhvilluar ekonomikisht, në një rajon plot potencial rritjeje.
Vitet e fundit janë zbatuar një sërë masash reformuese për të çliruar më tej potencialin e rritjes së rajonit me burime të pasura natyrore, në bazë të kushteve specifike vendase, duke nxitur zhvillimin e sektorëve të rinj dhe duke përshpejtuar transformimin dhe përmirësimin e strukturës industriale.
Zona e Re Liangjiang e qytetit Chongqing(Foto:VCG)
Një port në Zonën e Re Liangjiang të qytetit Chongqing(Foto:VCG)
Në Zonën e Re Liangjiang të qytetit Chongqing në jugperëndim të Kinës, po lulëzon një ekosistem institucional i kërkimit dhe zhvillimit, mbështetur nga institucione prestigjioze akademike, si Instituti i Teknologjisë së Pekinit, Instituti i Teknologjisë Harbin dhe Universiteti Politeknik Veriperëndimor.
Mes tyre, Instituti i Materialeve dhe Pajisjeve të Magazinimit të Energjisë së Re i Chongqingut, shquhet për përkushtimin e tij në avancimin e kërkimit për energjinë e hidrogjenit, duke synuar arritjen e përparimeve të rëndësishme teknologjike në bateritë e reja të energjisë.
"Potenciali për energjinë e hidrogjenit është i madh. Megjithatë ne përballemi me sfidën e zhvillimit të metodave të sigurta dhe me kosto të ulta për ruajtjen dhe transportin e hidrogjenit," vuri në dukje Wang Jingfeng, drejtor ekzekutiv i institutit.
Instituti u krijua nga bashkëpunimi mes Universitetit Chongqing me Zonën e Re Liangjiang, duke kombinuar kërkimet e përparuara me burimet e industrisë vendase, për të ndërtuar një platformë të nivelit të lartë për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e produkteve.
"Kërkimi ynë aktual në materialet e baterive me bazë magnezi dhe teknologjitë e ruajtjes së hidrogjenit po udhëheq industrinë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së zgjidhjeve të energjisë," shtoi Wang.
Chongqingu, si një qendër industriale në jugperëndim të Kinës, kishte ndërtuar 144 fabrika inteligjente dhe 958 punishte digjitale deri në fund të vitit 2023, sipas komisionit të bashkisë për ekonominë dhe informatizimin.
Krahas reformave, hapja sjell edhe ndryshime të mëdha për zhvillimin e krahinave përkatëse. Në provincën kufitare të Yunnanit, në jugperëndim të Kinës, vëllimi i mallrave të transportuara përmes linjës hekurudhore Kinë-Laos, të nisur në dhjetor 2021, ka tejkaluar 41 milionë tonë, duke shtuar një forcë nxitëse të re në bashkëpunimin me cilësi të lartë brenda nismës“Një brez, një rrugë”dhe zhvillimin ndër rajonal.
Një tren i nisur nga qytetit Xi'an për të transportuar mallrat ndaj Europës, provincë Shaanxi(Foto:VCG)
Deri në fund të 2022, vlera e përgjithshme të import-eksporteve të mallrave në Zonën Pilot të Tregtisë së Lirë të provincës Shaanxi kaloi 1.65 trilion juanë. Vitin e shkuar trenat e mallrave Kinë-Evropë kryen 5,351 udhëtime, 15.3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Qyteti Xi'an, kryeqendra e provincës, është bërë qyteti i parë në vend ku numri vjetor i trenave të mallrave Kinë-Evropë tejkalon 5,000, dhe totali i trenave të tilla i kaloi 20,000.
Nisur nga burimet dhe bazat industriale vendore, në krahinat perëndimore të Kinës është promovuar fuqishëm transformimi dhe përmirësimi i industrive tradicionale. Ndërkohë po zhvillohen industri si energjia kimike, përpunimi i mëtejshëm i produkteve bujqësore, blegtorale, prodhimi i pajisjeve të nivelit të lartë etj.
Mineralet e zbuluara në provincën Guizhou përbëjnë 80% të totalit në vend, me rezerva të pasura qymyri, fosfori, alumini, mangani etj. Vitet e fundit, provinca ka promovuar ngritjen e teknologjisë së përpunimit të mineraleve, nëpërmjet tërheqjes së ndërmarrjeve kryesore të zinxhirëve industrialë, duke rritur kështu vlerat e shtuara të sektorit përkatës.
Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendshme, Rajoni Autonom Xinjiang-Ujgur, provinca Gansu dhe krahina të tjera në perëndim të Kinës, që kanë burime të pasura të energjisë së erës dhe diellit, po mbështesin zhvillimin e sektorit të energjisë re, për të krijuar pika të reja zhvillimi. Në vitin 2023, investimet në projektet e prodhimit të elektricitetit me teknologji fotovoltaike dhe energji të erës në Xinjiang u rritën 2.1 herë, krahasuar me një vit më parë. Rajonet e tjera në perëndim, duke u bazuar mbi kushte të veta natyrore, po nxisin zhvillimin e bujqësisë, pylltarisë, blegtorisë, peshkimit, kujdesit shëndetësor, tregtisë ndërkufitare etj., nëpërmjet reformës institucionale dhe risive teknolgjike.
Të gjitha masat për një jetë më të mirë për banorët
Qëllimi përfundimtar i reformës dhe nxitjes së risive është ofrimi i një jete më të mirë për banorët.
Gjatë thellimit të mëtejshëm të reformave gjithëpërfshirëse, punësimi është gjëja më e rëndësishme. "Duhet të kujdesem për të moshuarit dhe fëmijët, ndaj nuk mund të punoj gjithmonë jashtë", thotë Mei Junfen, një banore e fshatit Lagu, në Yongren të provincës Yunnan. Pas kthimit në vendlindje vitin e shkuar dhe pas mbështetjes nga platforma elektronike e punësimit, krijuar nga qeveria lokale, ajo u punësua në parkun industrial të boronicave. "Të ardhurat mesatare mujore janë 5,000 juanë. Mund të arrijnë deri 10,000 juanë në sezonin e pikut. Ushqimi dhe akomodimi janë falas. Jam shumë e kënaqur."
Punëtore në Yun'nan korr boronica(Foto:VCG)
Turistë në provincën Yun'nan(Foto:VCG)
Platforma bazohet në industritë lokale, të cilat jo vetëm tërheqin punëtorët ruralë për punësim, por gjithashtu trajnojnë fshatarët për t'u bërë punonjës industrialë, duke promovuar formimin e një cikli të mirë zhvillimi me cilësi të lartë të industrive moderne bujqësore, me rritjen e punësimit dhe të të ardhurave të bujqve. Siç mësohet, deri në fund të qershori, 4,600 punëtorë janë rekrutuar falë platformës.
27-vjeçari Liu Shuangbin jeton në fshatin Hongde, në Wuzhong të Rajonit Autonom Ningxia-Hui. "Kur isha fëmijë, nuk e imagjinoja kurrë se rruga para shtëpisë sime mund të ishte e sheshtë”, tha Liu Shuangbin. Tani ai punon së bashku me gruan e tij në një park industrial afër fshatit. Secili prej tyre mund të fitojë rreth 3,000 juanë në muaj. Ndërsa, banesa e tij është pajisur me të gjitha aparaturat moderne elektroshtëpiake.
Distrikti Hongsibao, ku gjendet fshati Hongde, është zona më e madhe e Kinës për të strehuar banorët ruralë të zhvendosur nga mbrojtja ekologjike. Aty banojnë mbi 200,000 banorë si Liu Shuangbin. Këtu po lulëzon bujqësia bazuar në kushtet natyrore dhe industria moderne.
Sipas Ren Jun, sekretar i degës së PKK-së për fshatin Hongde, vitin e kaluar, të ardhurat e disponueshme për frymë ishin 16,000 juanë, ndërkohë, të ardhurat e ekonomisë kolektive të fshatit i kaluan 2.16 milionë juanë.
"Ato që banorët interesohen dhe presin, janë objektivat mbi të cilat duhet të fokusohet reforma”, thotë z. Ren. Bazuar në kërkesat e paraqitura në Plenumin e Tretë të Komitetit Qendror të 20-të të Partisë, duhet të krijohet një mekanizëm për të parandaluar varfërimin e popullsisë rurale.“Do të shtojmë trajnimet profesionale për të fuqizuar aftësinë e punëtorëve ruralë, duke i shndërruar ata nga punëtorë afatshkurtër në punëtorë industrialë afatgjatë, në mënyrë që të kenë të ardhura më të qëndrueshme”, shtoi përgjegjësi i degës së Partisë për fshatin.