foto nga Xinhua
Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të mërkurën me kryeministrin e Etiopisë Abiy Ahmed, i cili ndodhet në Pekin për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024.
Xi tha se marrëdhëniet kino-etiopiane janë një shembull i bashkëpunimit miqësor midis Kinës dhe Afrikës.
Prej kohësh, të dyja vendet e kanë mbështetur fuqishëm njëra-tjetrën në mbrojtjen e interesave thelbësorë të tyre dhe në kundërshtimin e ndërhyrjes së jashtme, duke krijuar një miqësi të hekurt të pathyeshme, u shpreh presidenti kinez.
Kina është e gatshme ta shfrytëzojë samitin si një mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin pragmatik ndërmjet të dy vendeve dhe e mbështet Etiopinë për përdorimin e potencialit të saj si një nyje rajonale transporti, për të krijuar një rrjet transporti kompleks hekurudhor-detar në Afrikën Lindore dhe për ndërtimin e një zone demonstrimi për bashkëpunimin cilësor ndërmjet Kinës dhe Afrikës, në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë", tha Xi.
foto nga Xinhua
Nga ana e tij, kryeministri Abiy Ahmed shprehu kënaqësinë që shijon edhe një herë gërshëtimin harmonik të historisë me modernizimin në Kinë, veçanërisht në Pekin, dhe tha se kjo shërben si referencë për ndërtimin urban dhe modernizimin e Etiopisë. Politika e Kinës ndaj Etiopisë mishëron plotësisht barazinë dhe respektin e ndërsjellë dhe marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë me leverdi të ndërsjellë e me fitime të përbashkëta, u shpreh ai.
Pala etiopiane është e gatshme të vazhdojë përkrahjen e ndërsjellë me palën kineze dhe shpreson që, duke shfrytëzuar rastin e këtij samiti, të nxitë partneritetin strategjik në të gjitha rrethanat midis të dy vendeve që të arrijë më shumë rezultate. Etiopia dëshiron gjithashtu të thellojë më tej shkëmbimet e bashkërendimin me palën kineze në çështjet ndërkombëtare shumëpalëshe, theksoi kryeministri Ahmed. (Wang Lei/ Artan)