Presidenti Begaj takon homologun leton: Forcim i bashkëpunimit ekonomik
2024-09-04 10:53:16

Foto nga RTSH

Presidenti shqiptar Bajram Begaj nisi të martën vizitën shtetërore në Letoni, ku u prit nga homologu Edgars Rinkēvičs, të cilin e falënderoi për pritjen, duke e cilësuar si një moment për të forcuar dialogun politik mes dy vendeve mike që ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet rajonale dhe globale.

Presidenti Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, citon “RTSH”.

Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, presidentët biseduan për rritjen dhe zgjerimin e tyre, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor.

Në këtë aspekt, u propozua vendosja e një linje ajrore direkte të përhershme, e cila do të sjellë afrimin mes dy vendeve, rritjen e fluksit të shkëmbimeve dhe të turizmit.

Në takim u bisedua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. (Elona)