Foto nga VCG
Komisioneri i përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, deklaroi se mbi 600 mijë fëmijë kanë përjetuar traumë dhe janë privuar nga e drejta e tyre për arsim në Rripin e Gazës, që nga 7 tetori i vitit të shkuar.
Në një deklaratën në llogarinë e tij në median sociale, Lazzarini tha: “Sa më gjatë të qëndrojnë fëmijët larg shkollës, aq më e madhe është humbja e brezit”.
Ai theksoi se mbi 70 për qind e shkollave të UNRWA-së në Gaza janë shkatërruar ose dëmtuar, shkruan “ATSH”.
Lazzarini vuri në dukje se shkollat janë bërë strehimore për qindra mijëra familje të zhvendosura palestineze.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë më shumë se 40 mijë palestinezë, përfshirë të paktën 16.673 fëmijë dhe 11.269 gra ndërsa janë plagosur 94.224 të tjerë.
Ndërkohë po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku strehohet popullata. (Elona)