Kthimi i inflacionit në objektiv, analizë nga Banka e Shqipërisë
2024-09-04 15:19:21

Inflacioni (Foto Dukagjini)

Inflacioni (Foto Dukagjini)

Duket se goditja e inflacionit i përket të shkuarës. Në këtë përfundim arrijnë ekspertë të Bankës së Shqipërisë të cilët bëjnë një analizë të situatës aktuale.  Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikës Monetare flet për parashikimet deri në fund të këtij viti .

“Sa i takon objektivit tonë primar që është stabiliteti i çmimeve, ky tregues ka ardhur në rënie të shpejtë gjatë 3 mujorit të dytë të vitit, duke shënuar një nivel mesatar prej 2.1%. Ky zhvillim u diktua në masën më të madhe nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë me origjinë nga tregu i huaj, ku konstatohet një lëvizje paralele e këtij treguesi në të gjithë ekonomitë e rajonit dhe ato evropiane. Në një farë mënyrë ashtu siç konkludon edhe raporti tremujor i politikës monetare, duket tashmë se goditja mbi çmimet dhe në inflacion që ne përjetuam në vitin 2022 është diçka që i përket të shkuarës. Aktualisht në nivelet aktuale që qëndron inflacioni, ai është në linjë ndonëse diçka më poshtë se objektivi i stabilitetit të çmimeve.”-shprehet Themeli.

Po ashtu Themeli ndalet edhe tek kthimi në objektiv gjatë 2025-sës.

“Nga ana tjetër në lidhje me inflacionin ne mendojmë që ky tregues do të qëndrojë pranë niveleve aktuale pra të themi në intervalin 2-2.5% për pjesën e mbetur të vitit 2024, por gradualisht në të ardhmen duke filluar nga viti 2025 presim që ky tregues të kthehet në objektiv pra në nivelin në 3%, që përbën edhe objektivin e BSH.”

Drejtori i Departamentit të Politikës Monetare thekson edhe  konkluzionet kryesore të politikës monetare.

“Analiza periodike që ne i kemi bërë informacionit të disponuar, ka konkluduar që trendet pozitive të zhvillimit të vendit të cilat kanë qenë të pranishme gjatë dy viteve të fundit, kanë vijuar edhe gjatë tre mujorëve të parë të vitit 2024, për të qenë më konkret ne konstatojmë një rritje ekonomike solide në nivelin 3.6% për 3-mujorin e parë sipas të dhënave të INSTAT dhe në nivele të krahasueshme sipas gjykimit tonë dhe për 3-mujorin e dytë. Po ashtu, shohim një punësim në rritje, çka do të thotë se frytet e rritjes ekonomike po bëhen të prekshme dhe për familjet shqiptare dhe në të njëjtën kohë kemi një rritje relativisht të konsiderueshme të pagave në sektorin privat, të cilat gjatë 3-mujorit të parë u rritën në 12.7%.”

Erald Themeli Foto Banka e Shqipërisë

Erald Themeli Foto Banka e Shqipërisë

Parashikimi për ekonominë në të ardhmen është pozitiv, bazuar në bazat e rritjes ekonomike më konkretisht bilancet financiare si të bizneseve dhe të familjeve.

“Ne mendojmë se bazuar në trendet dhe faktorët, të cilët kanë mbështetur zhvillimin e ekonomisë shqiptare, perspektiva ekonomike dhe financiare e vendit mbetet pozitive. Ne presim një rritje ekonomike, nën nivele të ngjashme të krahasueshme dhe për pjesën e mbetur të vitit 2024, dhe më tutje për vitin 2025 dhe vitin 2026, ne gjykojmë që bazat e rritjes ekonomike më konkretisht bilancet financiare si të bizneseve dhe të familjeve janë të shëndosha. Kanë një nivel relativisht të lartë likuiditeti. Ne konstatojmë që besimi për të ardhmen në tërësi mbetet pozitiv, pra është në nivele të tilla që sugjerojmë që ekonomia shqiptare vazhdon të qëndrojë në ekspansion. Paralelisht ne vërejmë që po ashtu edhe ambienti financiar sa i takon normave të interesit por edhe politikave të bankave në kreditim mbetet akomodues për rritjen ekonomike. “

Tendenca e kreditimit tregon stabilitet

“Për ilustrim ne shohim që kredia për sektorin privat ka pasur një trend të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm duke arritur në nivelin 14.6% në muajin qershor pra mendojmë që faktorët kryesorë të cilët kanë mbështetur rritjen ekonomike sa i takon pjesës së brendshme të ekonomisë do të vazhdojnë të qëndrojnë në territor pozitiv edhe në të ardhmen. Në të njëjtën kohë konstatohet që turizmi ka pasur një kontribut pozitiv në gjysmën e parë të vitit dhe bazuar në të dhënat e tërthorta, indirekte të sezonit turistik duket që ky trend do të vazhdojë ashtu edhe në pikun e sezonit që janë muajt e verës, por edhe më tutje gjatë pjesës së mbetur të vitit 2024. Pra ne mendojmë që ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe kjo mund të shoqërohet po ashtu me rritje punësimi dhe pagash dhe po ashtu dhe me një gjendje të qëndrueshme financiare të sektorit privat.”

Themeli sqaron se përse Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.

“Mendoj që ishte një vendim i duhur në stadin aktual të zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe për më tepër, duke marrë parasysh ecurinë dhe pritjet për inflacionin. Dëshiroj të ritheksoj për publikun e gjerë që politika jonë monetare dhe më konkretisht niveli i normës bazë të interesit, hartohet ekskluzivisht në funksion të përmbushjes së objektivit tonë primar që është stabiliteti i çmimeve i përkthyer si një nivel inflacioni 3%. Pra për sa kohë në gjykimin tonë presionet e përgjithshme inflacioniste duke marrë parasysh presionet e brendshme që vijnë qoftë nga kërkesat e mallrave dhe shërbimeve por qoftë dhe nga rritja e pagave dhe kostove të prodhimit dhe nga ana tjetër po ashtu dhe presionet e huaja inflacioniste të cilat vijnë nga inflacioni i partnerëve tanë tregtar dhe nga ecuria e kursit të këmbimit. Në projeksionet tona në pritje për të ardhmen janë në linjë pra, janë konsistente me përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të cmimeve.”

Banka e Shqipërisë(Foto Timeout tirana)

Banka e Shqipërisë(Foto Timeout tirana)

Vendimi sipas Themelit niset duke marrë parasysh edhe balancat e rreziqeve në vend.

“ Në të njëjtën kohë edhe balanca e rreziqeve sikurse u tha në njoftimin e fundit të Këshillit Mbikqyrës, në gjykimin tonë vijon të mbetet neutrale dhe me shumë gjasa shmangia të jetë në drejtimin pozitiv, sa cka që shmangia të jetë në drejtimin negativ. Duke marrë parasysh këtë tërësi faktorësh këshilli mbikëqyrës vendosi të mbajë pandryshuar normën bazë të interesit. Dëshiroj të theksoj se Këshilli Mbikqyrës gjatë gjithë përballjes që ka pasur me goditjen nga cimet në tregjet e huaja ka qenë mjaft i kujdesshëm në hartimin e politikës monetare, pra ne natyrisht si dhe gjithë partnerët tanë tregtarë u detyruam të merrnin  një normalizim të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2022 dhe 2023, për të kontrolluar presionet inflacioniste që na vinin nga tregjet e huaja. Norma bazë e interesit erdhi në rritje por kjo rritje sikurse është prezente për besoj të gjithë publikun e gjerë por dhe tregjet financiare ishte mjaft më e ulët se rritja që u aplikua nga partnerët tanë tregtarë.” – shprehet Themeli.