(4 shtator 2024, Pekin)
Presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping
I nderuar President Faye,
Të nderuar kolegë, e nderuar zonjë,
Të dashur miq dhe të ftuar,
Mirëmbrëma!
Është një kënaqësi e madhe të mirëpres së bashku me ju një samit të ri të FOCAC-ut. Në emër të qeverisë dhe popullit kinez dhe së bashku me bashkëshorten time, dua t'u shpreh mirëseardhjen e ngrohtë të gjithë mysafirëve tanë.
Në një poemë kineze thuhet: "Nuk ka distancë mes miqve, edhe sikur mijëra kilometra larg, prapë janë fqinjë". E kam vizituar Afrikën dhjetë herë dhe kam pritur edhe shumë udhëheqës afrikanë që kanë vizituar Kinën. Sa herë që takohem me miqtë afrikanë, kam një ndjenjë ngrohtësie e miqësie dhe veçanërisht ndiej thellësisht që bashkësia me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë ndërtohet mbi themele të forta, nga një pikënisje e lartë e me perspektivë të gjerë, dhe shërben si shembull i shkëlqyer për ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Bashkësia me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë i ka rrënjët në miqësinë tradicionale. Qysh prej mesit të shekullit të kaluar, ne kemi luftuar krah për krah në luftën kundër imperializmit, kolonializmit e hegjemonisë dhe kemi ecur dorë për dorë në rrugën e zhvillimit, rilindjes dhe modernizimit. Pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, miqësia kino-afrikane do të vazhdojë të trashëgohet e të forcohet.
Bashkësia me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë shquhet për bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta. 24 vjet më parë, Forumi për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) erdhi në jetë në agimin e shekullit të ri. Duke u mbështetur te kjo platformë e rëndësishme, ne kemi punuar së bashku për të ndërtuar rrugë, hekurudha, shkolla, spitale, parqe industriale e zona të posaçme ekonomike, duke ndryshuar jetën dhe fatin e njerëzve të panumërt.
Bashkësia me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë rritet me kohën. Që nga samiti në Dakar i Forumit në vitin 2021, ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për të zbatuar rezultatet e samiteve, si "Nëntë Projektet" etj., e kemi ndihmuar njëri-tjetrin në luftën kundër pandemisë dhe jemi bashkërenduar në çështje të mëdha ndërkombëtare e rajonale, duke lëshuar një mesazh të fortë të kohës nga Jugu Global.
Të dashur miq dhe të ftuar!
Ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë është aspirata e përbashkët e njerëzimit dhe modernizimi është rruga e domosdoshme e shndërrimit të ëndrrës në realitet. Si në të kaluarën, ashtu dhe në kohën e sotme, Kina dhe Afrika kanë qenë pioniere në ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta dhe do të ecin dorë për dorë në krye të procesit të modernizimit në të ardhmen. Unë besoj se, për sa kohë që 2.8 miliardë njerëz në Kinë dhe Afrikë përpiqen me një zemër dhe ecin në të njëjtin drejtim, ata do të jenë në gjendje të krijojnë shkëlqim në rrugën e modernizimit, të udhëheqin zhvillimin e vrullshëm të kauzës së modernizimit të Jugut Global dhe të japin kontribut më të madh në ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Tani unë propozoj të ngremë një dolli,
për lulëzimin dhe lumturinë e Kinës e të vendeve afrikane,
për miqësinë brez pas brezi të popullit kinez dhe të popujve afrikanë,
për suksesin e këtij samiti,
për shëndetin e mysafirëve të pranishëm dhe të familjeve tuaja,
Gëzuar!