Foto nga Xinhua
Të mërkurën paradite presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pallatin e Madh të Popullit me presidenten e Tanzanisë, Samia Suluhu Hassan, e cila ndodhet në Pekin për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë - Afrikë.
Xi vuri në dukje se ky vit shënon 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Tanzanisë. Pala kineze është e gatshme të punojë me palën tanzaniane për të promovuar dhe thelluar marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkëpunimit Kinë-Tanzani, që nga këto marrëdhënie të përfitojnë më shumë popujt e të dy vendeve dhe që miqësia tradicionale kino-tanzaniane të përcillet brez pas brezi. Të dyja palët duhet të forcojnë shkëmbimet e përvojës në qeverisjen e vendit, të rrisin besimin e ndërsjellë politik e strategjik dhe të thellojnë bashkëpunimin pragmatik me dobi të ndërsjellë. Kina është e gatshme ta përdorë këtë samit si një mundësi për të promovuar përparimin e ri në aktivizimin e hekurudhës Tanzani-Zambia, për të bashkëpunuar për përmirësimin e rrjetit të transportit hekurudhor-detar të Afrikës Lindore dhe për të ndërtuar një zonë demonstrimi për bashkëpunimin Kinë-Afrikë në drejtim të ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë”.
Xi theksoi më tej se Tanzania është vendi ku u shpall politika e Kinës për Afrikën në epokën e re. "Në vitin 2013, unë propozova në Tanzani parimet e sinqeritetit, rezultateve konkrete, miqësisë dhe mirëbesimit të politikës së Kinës ndaj Afrikës. Kina është e gatshme të punojë me Tanzaninë për t'i bërë marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve një model për marrëdhëniet e bashkëpunimin Kinë-Afrikë dhe të Jugut Global, duke dhënë kontribut më të madh për promovimin e ndërtimit të bashkësisë së fateve të përbashkët të njerëzimit," u shpreh kreu i shtetit kinez.
Foto nga Xinhua
Hassan tha nga ana e saj se ka kujtime të thella prej vizitës në Kinë në vitin 2022 dhe se është shumë e lumtur që vjen sërish në Kinë për të marrë pjesë në Samitin e Pekinit të Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë. Kina ka zbatuar në mënyrë aktive rezultatet e samiteve të mëparshme dhe bashkëpunimi përkatës ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendeve afrikane. Ajo shprehu besimin se Samiti i Pekinit do të japë kontribute të reja për thellimin e bashkëpunimit miqësor ndërmjet Afrikës e Kinës dhe do të promovojë efektivisht procesin e industrializimit e të modernizimit bujqësor në Afrikë. Tanzania e vlerëson lart nismën e presidentit Xi Jinping për të ndërtuar së bashku "Një brez, një rrugë", u shpreh Hassan, duke shtuar se është e lumtur të dëshmojë aktivizimin e hekurudhës Tanzani-Zambia gjatë kësaj vizite. Tanzania është e gatshme të bashkëpunojë në mënyrë aktive me Kinën për të promovuar ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", me qëllim që njerëzit të kenë përfitime më të prekshme.
Gjatë samitit, Kina dhe Tanzania nënshkruan një sërë dokumentesh bashkëpunimi dypalësh në fusha të tilla si ndërlidhja dhe tregtia e produkteve bujqësore.