SHBA sekuestron avionin e presidentit të Venezuelës
2024-09-04 16:12:47

Avioni i sekuestruar (Foto RTSH)

Avioni i sekuestruar (Foto RTSH)

Autoritetet amerikane sekuestruan në ishujt Karaibe një aeroplan të përdorur nga presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro. Avioni u dërgua nga Republika Domenikane në Florida, pasi Departamenti i Drejtësisë bëri të ditur se blerja e tij shkelte sanksionet e amerikane, bën të ditur “RTSH”. 

Sekuestrimi i avionit u bë ndërsa është rritur trysnia mbi presidentin venezuelian si brenda ashtu edhe jashtë vendit lidhur me zgjedhjet e korrikut, të cilat ai pretendon se i ka fituar. Por opozita në Venezuelë pretendon se zgjedhjet u fituan nga kandidati i saj.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara deklaroi se avioni i Maduros u ble në mënyrë të paligjshme për 13 milionë dollarë përmes një kompanie guaskë dhe u nxor kontrabandë nga territori amerikan për t’u përdorur nga presidenti venezuelian dhe miqtë e tij.

“Vitin e kaluar aeroplani u eksportua ilegalisht nga Shtetet e Bashkuara për në Venezuelë, përmes Karaibeve, e që nga ajo kohë është përdorur për qëllimet e Maduros dhe përfaqësuesve të tij, përfshirë për vizitat në vende të tjera”, - bëri të ditur Departamenti amerikan i Drejtësisë. (Elona)