Foto nga VCG
Kryeministri i zraelit Benjamin Netanyahu u kërkoi falje familjeve të 6 pengjeve të fundit të vrarë nga Hamasi, në Gaza, për faktin se nuk u shpëtuan dot të gjallë.
“Kryeministri shprehu keqardhje të thellë dhe i kërkoi falje familjeve që shteti i Izraelit nuk ia doli të kthejë të gjallë pengjet”,- thuhet në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrit.
Pas zbulimit të trupave të gjashtë pengjeve izraelite në Rripin e Gazës, kryeministri Netanyahu akuzoi grupin militant palestinez Hamas për sabotim sistematik të përpjekjeve për të arritur një armëpushim.
“Kush vret pengje nuk dëshiron një marrëveshje. Kjo është një ditë e vështirë për ne. Zemra e të gjithë kombit është thyer”,- deklaroi kryeministri Netanyahu në një videomesazh.
Ai u zotua të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar Hamasin nga vrasja e pengjeve të tjerë, duke thënë se përpjekjet për të liruar ata që kanë mbetur po vazhdojnë.
Por, ai fajësoi Hamasin, duke thënë se që nga dhjetori, organizata islamike ka refuzuar të angazhohet në negociata reale.
Ai akuzoi Hamasin për refuzimin e disa propozimeve që ai tha se Izraeli kishte rënë dakord.
Kritikët në Izrael akuzojnë Netanyahun për minimin e përpjekjeve për të arritur një armëpushim për arsye të brendshme politike dhe personale. (Fatosi)