Ura "Cocody" në Bregun e Fildishtë / foto nga Xinhua
"Me këtë urë unë mund të shkoj nga Prado në Cocody për vetëm pesë minuta," tha për medien Surama Dramane, një drejtues makine nga Bregu i Fildishtë. Pak kohë më parë, u mbushën një vit nga përurimi dhe vënia në funksionim e urës "Cocody" në Bregun e Fildishtë, që u ndërtua nga një kompani kineze. Kjo është ura më e madhe kabllore në Afrikën Perëndimore. Ajo jo vetëm që shkurton shumë kohën e udhëtimit të banorëve, por edhe ka krijuar një numër të madh mundësish punësimi dhe ka nxitur në mënyrë efektive zhvillimin ekonomik e shoqëror të Bregut të Fildishtë.
Në tokën e gjerë të Afrikës, ka shumë histori si ajo e urës "Cocody", komenton Grupi Mediatik të Kinës (CMG), duke shtuar se, veçanërisht në dekadën e fundit, me bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë midis Kinës dhe Afrikës për një zhvillim me cilësi më të lartë, ndërmarrjet kineze kanë ndërtuar një numër të madh "rrugësh lumturie", "portesh begatie", "urash lidhëse" dhe projektesh bashkëpunimi për energjinë e gjelbër në Afrikë. Ndërkohë, edhe prodhimet bujqësore afrikane, si avokadot, susami dhe kikirikët, kanë pasuruar gjithashtu tryezën e kinezëve. Kjo vërteton plotësisht fjalët e presidentit kinez Xi Jinping kohët e fundit në përgjigjen drejtuar studiuesve nga 50 vende afrikane se "Kina dhe Afrika kanë qenë gjithmonë një bashkësi me fate të përbashkëta".
Sipas një sondazhi në internet të publikuar kohët e fundit nga Rrjeti Televiziv Global i Kinës (CGTN), 86.3 % e të pyeturve nga vendet afrikane e pranojnë në një masë të madhe konceptin e bashkëpunimit të sinqertë e miqësor të Kinës me Afrikën dhe mirëpresin ndërtimin e një bashkësie më të ngushtë me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë në epokën e re.
foto nga CFP
Samiti i Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) për vitin 2024, që do të zhvillohet së shpejti në Pekin, ofron mundësi të reja për të dy palët që "të punojnë së bashku për të nxitur modernizimin dhe për të ndërtuar një bashkësi të nivelit të lartë me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë". Kjo është hera e parë në gjashtë vjet që udhëheqësit kinezë dhe afrikanë mblidhen në Pekin për të diskutuar planet e bashkëpunimit, për të hartuar një plan të ri për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Afrikë dhe për të përmbledhur forcat për zhvillimin paqësor të Jugut Global. "Africa News Network" komentoi se samiti pritet të sjellë një "epokë të re të bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe reciprokisht të dobishëm" midis Kinës dhe Afrikës.
Si një shembull i bashkëpunimit Jug-Jug dhe një "flamur" që udhëheq bashkëpunimin ndërkombëtar me Afrikën, FOCAC-u është bërë një familje e madhe me 55 anëtarë pas 24 vjetësh zhvillimi. "Pse bashkëpunimi Kinë-Afrikë është bërë gjithnjë e më i ngushtë," pyet në komentin e vet CMG-ja, duke shpjeguar se kjo ka ndodhur për faktin se të dy palët jo vetëm që kanë përvojë të ngjashme në luftën e tyre për çlirimin kombëtar, por edhe kanë të njëjtën aspiratë zhvillimi për realizimin e modernizimit dhe kanë përgjegjësinë për mbrojtjen e interesave të përbashkët të vendeve në zhvillim dhe për arritjen e barazisë e të drejtësisë ndërkombëtare.
Aktualisht, Kina po nxit në mënyrë gjithëpërfshirëse modernizimin e stilit kinez dhe Afrika po përshpejton arritjen e vizionit të përshkruar në Agjendën 2063 të Bashkimit Afrikan për të arritur zhvillimin dhe rigjallërimin. Të dy palët punojnë dorë për dorë për të nxitur modernizimin, gjë që është pjesë përbërëse e "bashkëpunimit për bashkësinë me fate të përbashkëta të nivelit të lartë Kinë-Afrikë", shton CMG-ja.
foto nga CFP
Në dekadën e fundit, ndërmarrjet kineze kanë nënshkruar kontrata me vlerë prej mbi 700 miliardë dollarësh amerikanë në Afrikë dhe projektet e ndërtimit lidhur me to kanë favorizuar më shumë se 900 milionë banorë këtij kontinenti, duke nxitur në mënyrë efektive zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendeve të tij.
Mahmoud Patel, një studiues në Universitetin e Kejptaunit Perëndimor të Afrikës së Jugut, tha se "bashkëpunimi Kinë-Afrikë ka ndryshuar jo vetëm pamjen e Afrikës, por edhe modelin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e ka ngritur statusin e Afrikës në botë."
Kina dhe Afrika, që janë përkatësisht vendi më i madh në zhvillim dhe kontinenti me më shumë vende në zhvillim, i përkasin Jugut Global dhe janë forca të rëndësishme për nxitjen e përmirësimit të qeverisjes globale. Të dyja palët ndajnë pikëpamje të ngjashme mbi shumë çështje të rëndësishme ndërkombëtare e rajonale, zbatojnë multilateralizmin e vërtetë, kundërshtojnë trashëgiminë e kolonializmit e të gjitha llojet e veprimeve hegjemone dhe bëjnë thirrje për forcimin e së drejtës së fjalës të vendeve në zhvillim. Përballë një bote kaotike, Kina dhe Afrika do të punojnë krah për krah për të ruajtur më mirë të drejtat dhe interesat e ligjshme të vendeve në zhvillim dhe për të nxitur një rend ndërkombëtar më të barabartë e më të arsyeshëm, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/Artan)