Borxhi Publik (Foto Ora news)
Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Financave, borxhi publik i Shqipërisë është ulur në nivel rekord për 10 vitet e fundit. Në qershor 2024, ai zbriti në 55,7 përqind të prodhimit kombëtar, nga 58.9 përqind që ishte në dhjetor 2023, ose 60 milione euro me pak në gjashtë muaj.
Borxhi publik ka vijuar të ndjekë trajektore rënëse gjatë gjithë tremujorit të dytë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, nga 1.362 trilionë lekë ose 13.62 miliardë euro në fund të vitit 2023, borxhi publik ka rënë në 1.356 trilionë lekë ose 13.56 miliardë euro në fund të gjysmës së parë të vitit 2024.
Një rënie të konsiderueshme ka pësuar edhe shërbimi i borxhit, i paguar nga shteti shqiptar. Shërbimi i borxhit në tremujorin e dytë të vitit 2024 ka arritur në 49.8 miliardë lekë, nga 100.8 miliardë që kushtonte në fund të vitit 2023. Praktikisht është më shumë se përgjysmuar. Kontribut të fortë në këtë përgjysmim ka dhënë edhe zhvlerësimi i euros në raport me lekun.
Tabela e Borxhit Publik (Foto shqiptarja.com)
Borxhi ynë publik nisi të ulej, pavarësisht nga shpenzimet e jashtëzakonshme të rindërtimit nga shkatërrimet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, që arritën në 1.2 miliardë euro, si dhe nga kostot e pandemisë së Covid-19, që përllogariten në mbi 1.9 miliardë euro humbje në vitet 2020-2021.
Nëse nuk do të kishte qenë tërmeti shkatërrimtar dhe konflikti në Ukrainë, borxhin mund ta kishim ulur edhe me 2 miliardë euro, për të arritur sot në më pak se gjysma e prodhimit kombëtar si borxh publik.
Në fund të vitit të kaluar 2023, për herë të parë që nga viti 2011, borxhi ynë publik zbriti në nivelet e para krizës së Covid-19 dhe të luftës në Ukrainë.
Qeveria arriti të përballonte “cunamin” e çmimeve të çmendura të energjisë elektrike në bursat evropiane në periudhën qershor-tetor 2022, pa ua rritur çmimin fundor të energjisë qytetarëve, i cili ngeli në nivelin 9.5 lekë për kilovat/orë, ndër më të ultit në Ballkan.
Borxhi u ul sidomos në dy vitet e fundit, “i ushqyer” nga turizmi galopant 2023-verë 2024, nga leku i fortë, nga proceset thelbësore të fiskalizimit, të faturave online dhe të digjitalizimit të shërbimeve publike në 95 përqind të tyre, si dhe nga mirëmenaxhimin i shpenzimeve publike, duke ulur ato jo-prodhuese dhe duke rritur të ardhurat tatimore.
Zbritja në nivelin nën 56 përqind te borxhit publik ne qershor 2024, e vendos Shqipërinë në vendin që ka ulur borxhin publik me ritmin më të shpejtë në rajon. E kemi patur borxhin publik në nivelin 74 përqind të prodhimit kombëtar në vitin 2020, në vitin Pandemisë nga Covid-19, vitin 2020. E patëm sërisht të lartë, mbi 72 përqind, në vitin e kufizimeve nga pandemia, vitin 2021. Arritëm ta merrnim veten në dy vitet e tjera, 2022-2023, të ndihmuar nga një bum i mirëfilltë në turizëm. E ulëm edhe më fort në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Tabela Arsyet e uljes sël Borxhit Publik (Foto shqiptarja.com)
Treguesit e tjerë kryesorë makroekonomikë, si rritja ekonomike dhe inflacioni vjetor kanë shënuar edhe ato përmirësime të ndjeshme. Rritja ekonomike është ankoruar në nivelet 3-4 përqind në vitet e fundit, ndërsa inflacioni shënoi një ulje të ndjeshme, duke kaluar nga 3.4 përqind në janar 2024 në 2.1 përqind në korrik 2024, ose një rënie me 61 përqind.
Kjo ecuri e borxhit publik, e ekonomisë në tërësi dhe e inflacionit, nënkupton se ekonomia jonë i ka lënë pas përfundimisht pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë dy viteve 2022–2023, për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë arriti të vërë inflacionin nën kontroll. Ky kontroll as nuk ka frenuar, as edhe cënuar drejtimin pozitiv të zhvillimit të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë financiare të vendit.
Ministria e Financave është e angazhuar në finalizimin e një strategjie të Menaxhimit të Financave Publike, nën koordinim me ekspertë të Bashkimin Evropian, si një nga parakushtet themelore të përparimit me bisedimet drejt Bashkimit Evropian.
Rekomandimet që kanë dalë nga këto bisedime, së bashku me grupin e reformave që qeveria shqiptare ka dakordësuar me Komisionin Evropian, si pjesë e Planit të Rritjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të përgatitur nga Komisioni, do të jenë shtysa të rëndësishme për integrimin e tregjeve të Shqipërisë me tregjet e BE-së, si dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike të vendit.
Ritmi i uljes së Borxhit Publik në rajon (Foto shqiptarja. com)
Pjesë e reformave në financat publike të Shqipërise është edhe Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, për të cilën Ministria e Financave e ka punuar së bashku me FMN-në, me synim përmirësimin e administrimit fiskal dhe efektshmërinë e politikave tatimore.
Jemi ndoshta në vitin më të mirë ekonomik që Shqipëria ka parë në 33 vitet e fundit. Me investimet publike të forta dhe turizmin që vijon të sjellë të ardhura të shtuara ndjeshëm, borxhi publik i vendit mund të zbresë edhe poshtë 50 përqind të prodhimit kombëtar, deri në dhjetor 2025.
Fatos Çoçoli