foto nga CMG
Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të martën bisedime me presidentin e Zimbabves Emmerson Mnangagwa, i cili është në Pekin për Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024 dhe një vizitë shtetërore.
Duke vënë në dukje miqësinë e thellë tradicionale ndërmjet Kinës dhe Zimbabves, Xi u shpreh se konsolidimi dhe thellimi i miqësisë së fortë ndërmjet të dy vendeve përputhet me shpresat e përbashkëta të të dy popujve.
Ai propozoi formimin e një kuadri bashkëpunimi "të hekurt me pesë yje" të bazuar nga pesë fusha kyçe: politika, ekonomia e tregtia, siguria, kultura dhe bashkërendimi ndërkombëtar.
Xi nxiti edhe përpjekjet e përbashkëta për të krijuar një bashkësi të nivelit të lartë me të ardhme të përbashkët Kinë-Zimbabve.
Xi vuri në dukje se Kina i ka konsideruar gjithmonë marrëdhëniet me vendet afrikane si bazën e politikës së vet të jashtme, i ka përkrahur me vendosmëri vendet afrikane të ndjekin rrugën e zhvllimit të pavarur dhe e ka mbështetur Afrikën të bëhet një pol i rëndësishëm në zhvillimin politik, ekonomik e qytetërimor të botës. FOCAC-u është një platformë dhe mekanizëm shumë i rëndësishëm i forcimit të solidaritetit e të bashkëpunimit ndërmjet Kinës e Afrikës dhe është bërë një flamur drejtues i bashkëpunimit ndërkombëtar me Afrikën. Pala kineze është e gatshme që të përpiqet bashkë me palën afrikane për ta bërë këtë samit një gur kilometrik në historinë e marrëdhënieve kino-afrikane dhe për të përcaktuar kursin e përpjekjeve dhe rrugën e realizimit të modernizimit të Kinës e të Afrikës.
foto nga CMG
Nga ana e tij, presidenti Mnangagwa tha se këtë herë, nga vizitat në provincën Hunan dhe qytetet Shenzhen e Nankin, u frymëzua dhe u ndriçua shumë. Nën udhëheqjen e presidentit Xi, Kina ka pasur suksese të mëdha dhe shumë teknologji e ndërmarrje kineze janë në nivelin e përparuar botëror. Një sërë masash të rëndësishme reforme të paraqitura në plenumin e 3-të të Komitetit të 20-të Qendror të PKK-së jo vetëm që do t'i sjellin të mira popullit kinez, por edhe do të ushtrojnë ndikime të mëdha në të ardhmen e Jugut Global dhe madje të gjithë njerëzimit.
Pala zimbabviane e falënderon palën kineze për mbështetjen në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare, si edhe vlerëson rolin konstruktiv të Kinës në çështjet ndërkombëtare, përfshirë krizën e Ukrainës, konfliktin Palestinë-Izrael etj.
Pas bisedimeve, presidentët e të dy vendeve dëshmuan nënshkrimin e një sërë dokumentesh të bashkëpunimit dypalësh, për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", Nismën e Zhvillimit Global, bashkëpunimin e shkëmbimet ekonomiko-tregtare, eksportin e avokadove në Kinë, në fushën mediatike etj. (Wang Lei/ Artan)