Një fushë me kolëza vajëse në Albertë të Kanadasë / CFP
Kina do të nisë një hetim antidiskriminim lidhur me rritjen e tarifave nga Kanadaja për makinat elektrike, si edhe produktet e çelikut dhe aluminit të importuara nga Kina, njoftoi të martën Ministria kineze e Tregtisë.
Kina do të nisë gjithashtu hetime antidumping mbi importet e kolëzave vajëse dhe produktet kimike përkatëse nga Kanadaja, shtoi ministria.
Kanadaja njoftoi javën e kaluar se do të vendosë një tarifë 100 për qind mbi importet e makinave elektrike të prodhuara nga Kina, pas njoftimeve të ngjashme nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian, si edhe një taksë 25 për qind mbi çelikun dhe aluminin kinez.
"Me gjithë kundërshtimin nga palët e ndryshme, Kanadaja ka vënë kufizime diskriminuese të njëanshme ndaj importeve nga Kina. Kina është shumë e pakënaqur dhe e kundërshton me forcë një gjë të tillë, dhe planifikon t'i paditë këto veprime të Kanadasë në mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të WTO-së," tha një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës, duke shtuar se pala kineze do të marrë masa të tjera përkatëse bazuar në gjendjen konkrete.
Duke përmendur raportet e fundit nga industritë përkatëse kineze, zëdhënësi vuri në dukje se eksportet e kolëzave vajëse të Kanadasë në Kinë janë rritur ndjeshëm, dhe ka dyshime për dumping. Vlera e këtyre eksporteve arriti në 3.47 miliardë dollarë vjet, duke shënuar një rritje 170 për qind në sasi në krahasim me vitin pararendës, ndërsa çmimet vazhduan të bien. (Artan)