Foto nga VCG
Muzikali i Broadway-t, “Chicago”, planifikon të magjepsë audiencën në Kinë me performanca verbuese dhe xhaz të zjarrtë.
Një turne i ardhshëm, i cili pritet të nisë në tetor në Shenzhen, në provincën Guangdong, do të ketë turne në 11 qytete, duke përfshirë Hangzhou, Suzhou, Xi'an dhe Chongqing, për një total prej 70 shfaqjesh.
Regjisori dhe koreografi Bob Fosse kishte për herë të parë një vizion për “Chicago”në vitin 1975, kur fitoi të drejtën e autorit për librin nga Maurine Watkins dhe bashkoi forcat me kompozitorin John Kander dhe tekstshkruesin Fred Ebb për të krijuar versionin fillestar të muzikalit.
Muzikali dha rreth 600 shfaqje deri në vitin 1979. Ai u rikthye në Broadway në vitin 1996 dhe më pas një vit më vonë në West End. Historia e famshme e dashurisë, vrasjes dhe korrupsionit mban rekordin për një nga shfaqjet më të gjata në Broadway.
I ambientuar në Çikagon e viteve 1920, dhe bazuar në vrasjet dhe gjyqet e jetës reale, muzikali flet për Roxie Hart, një yll i çuditshëm “vaudeville” që vret të dashurin e saj dhe arrestohet.
Në burg, Hart takon heroin e saj, performuesen e famshme të klubit të natës Velma Kelly, e cila vuan dënimin për vrasjen e burrit dhe motrës së saj, pasi i gjeti të dy bashkë në shtrat. Kur të dyja marrin të njëjtin avokat, tensionet arrijnë në krye ndërsa ato luftojnë për vëmendjen e medies. Që nga viti 1996, muzika ka bërë turne në 38 vende dhe është interpretuar më shumë se 35.000 herë, duke tërhequr rreth 34 milionë dashamirës.
Foto nga VCG
Nderuar me gjashtë çmime “Tony”, dy çmime “Olivier” dhe një “Grammy”, muzikali bëri debutimin e tij në Kinë në vitin 2018, duke vizituar pesë qytete, dekalroi Yang Hongya, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm i “One World Culture Communication”, një kompani me seli në Pekin, e cila është organizatore e turneut të ardhshëm. “Tregu muzikor në Kinë po rritet me shpejtësi. Kur sollëm anëtarët e kastit për të bërë foto në Pekin, shumë fansa i njohën”,- tha Yang në njoftimin për turneun.
Muzikali do të ketë 14 shfaqje në Teatrin “Century” të Pekinit, nga 14 deri më 24 nëntor.
“Megjithëse kanë kaluar pothuajse 30 vjet që nga rivënia në skenë, është ende i vetmi muzikal që ka gjithçka: një përrallë universale për famën, pasurinë dhe plot xhaz, me një këngë pas tjetrës dhe me kërcimin më mahnitës që keni parë ndonjëherë”,- thotë Yang.
Gjatë shfaqjes në Pekin, dy protagonistet, Sarah Soetaert, e cila luan rolin e Roxie Hart, dhe Michelle Antrobus, e cila luan Velma Kelly, performuan finalen, “Hot Honey Rag”, dhe kënduan “My Own Best Friend”.
“Është një kombinim i gjërave që ecin përpara së bashku. Është koreografia, historia, muzika dhe kërcimi që i bëjnë njerëzit të shijojnë performancën”,- deklaroi Soetaert, e cila ka 20 vjet që bashkëpunon me muzikalin.
Pavarësisht se ka qenë në të njëjtin spektakël për një kohë kaq të gjatë, ajo është ende e emocionuar për çdo performancë.
Foto nga VCG
“Është një udhëtim! Bën nxehjen, vokalin, sheh kolegët, vesh kostumin, grimin dhe ja ku je. Deri në momentin që të ngrihet perdja, je aty sepse dëshiron të jesh”,- thotë ajo.
Antrobus është gjithashtu pjesë e kastit për një kohë të gjatë dhe ka qenë me muzikalin për 17 vjet.
“Dy personazhet janë shumë të ndryshme. Roxie është impulsive dhe ëndërron të jetë një yll “vaudeville”, ndërsa Velma tashmë është një yll i madh. Përmes gjithë atij rivaliteti, ato kuptojnë se kanë nevojë për njëra-tjetrën. Ato janë shumë të njëjta, të pasionuara dhe ambicioze. Dy personazhet rezonojnë me audiencën tonë femërore në veçanti”,- tha ajo.
“Të gjithë janë pjesë e shfaqjes prej shumë vitesh dhe e kanë bërë shumë herë. Ata kanë shumë përvojë”,- deklaroi Tim Reed, menaxheri i turneut të muzikalit, duke shtuar se kasti i turneut është një përzierje e talenteve ndërkombëtare dhe interpretuesve vendas, gjë që siguron që produksioni të ketë standarde të larta.
Reed ishte në Kinë kur muzika bëri turne në vitin 2018.
“Pritja për “Chicago” ishte jashtëzakonisht pozitive. Publiku u tërhoq nga temat e përjetshme të muzikalit të ambicies dhe krimit, energjia e gjallë, kostumet verbuese dhe koreografia e patëmetë. Për këtë turne të ardhshëm, ne do t'i qëndrojmë besnik reputacionit të tij për spektakël dhe sofistikim”,- tha Reed.