foto nga Xinhua
Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të martën me homologun e tij të Malavit Lazarus Chakwera, që ndodhet në Pekin për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) për vitin 2024.
Të dy liderët shpallën bashkërisht ngritjen e nivelit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve në partneritet strategjik.
Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin miqësor me Malavin nga një pikënisje e re, për të nxitur zhvillimin e përbashkët në favor të dy popujve, tha Xi.
Ai shtoi se Kina dëshiron të ndajë me Malavin mundësitë që sjell modernizimi kinez, të forcojë bashkëpunimin dypalësh në fusha si bujqësia, telekomunikacioni e infrastruktura dhe të inkurajojë ndërmarrjet kineze që të investojnë në Malavi.
foto nga Xinhua
Chakwera tha nga ana e tij se Malavi e konsideron Kinën si miken më të sinqertë.
Ai shprehu përkrahjen për forcimin e mekanizmit të FOCAC-ut dhe theksoi se Malavi është i gatshëm ta konsiderojë këtë samit si një rast për përparimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të "Një brez, një rrugë", të forcojë ndërlidhjen rajonale dhe të thellojë bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë me Kinën.
Gjatë samitit, të dyja palët do të nënshkruajnë dokumentet e bashkëpunimit mbi eksportin e kikirikëve në Kinë, zhvillimin e mediave të reja dhe fusha të tjera. (Wang Lei/ Artan)