Foto nga VCG
Presidenti francez Emmanuel Macron po konsultohet me paraardhësit e tij, François Hollande dhe Nicolas Sarkozy, në një përpjekje për të thyer bllokimin politik të vendit, shkruan “ATSH”.
Një muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë, Macron ende nuk ka emëruar një kryeministër të ri.
Nuk ka asnjë perspektivë për një shumicë të qëndrueshme qeveritare midis partive.
Zgjedhjet nxornë fituese aleancën e krahut të majtë “Nouveau Front Populaire”, përpara forcave centriste të Macron dhe forcave të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, e cila ishte parashikuar të fitonte.
Asnjë nga kampet nuk siguroi një shumicë absolute.
Aleanca e majtë e bëri të qartë pretendimin e saj ndaj qeverisë në disa raste.
Megjithatë, Macron përjashtoi një qeveri të pastër të aleancës me arsyetimin se ajo do të rrëzohej menjëherë me një votë mosbesimi.
Pavarësisht disa raundeve konsultimesh midis Macron dhe palëve, mbetet e paqartë se si mund të formohet një qeveri e qëndrueshme në Francë. (Fatosi)