Foto nga Xinhua
Të martën paradite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me kryetarin e Komisionit të Bashkimit Afrikan Moussa Faki Mahamat, i cili ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Samitin e Pekinit të Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë.
Xi Jinping vuri në dukje se Bashkimi Afrikan është flamur i unitetit dhe forcës së Afrikës, si edhe një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin ndërkombëtar. Vitet e fundit, Kina dhe Bashkimi Afrikan kanë vazhduar të thellojnë besimin e ndërsjellë politik dhe kanë pasur bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale. "Shoh me kënaqësi që Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, e ndërtuar me ndihmë nga Kina, ka përfunduar dhe është vënë në funksionim, duke dhënë kontribut për çështjet shëndetësore të Afrikës dhe për shëndetin e mirëqenien e popujve afrikanë. Pala kineze mbështet Bashkimin Afrikan për të luajtur një rol më të madh në kauzën e miqësisë Kinë-Afrikë dhe është e gatshme ta marrë Samitin e Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë si një rast për të promovuar arritjen e më shumë rezultateve nga bashkëpunimi midis Kinës dhe Bashkimit Afrikan në fusha të ndryshme dhe për të nxitur krijimin e bashkësisë të fateve të përbashkëta Kinë-Afrikë në një nivel të ri," u shpreh Xi.
Kreu i shtetit kinez theksoi më tej se aktualisht, Jugu Global, duke përfshirë Kinën dhe Afrikën, ka marrë hov, duke sjellë qëndrueshmëri dhe energji pozitive për paqen dhe zhvillimin botëror. Afrika është një pol i rëndësishëm në botë dhe një përparësi e rëndësishme për diplomacinë kineze. Kina është e gatshme të intensifikojë shkëmbimet politike me Afrikën, të thellojë besimin e ndërsjellë strategjik, të forcojë bashkëpunimin praktik, të ndajë përvojën e zhvillimit dhe të promovojë zhvillimin e përbashkët. "Ne duhet të punojmë ngushtë së bashku, të mbështesim në mënyrë të vendosur njëri-tjetrin, të mbrojmë një botë të barabartë e të rregullt shumëpolare dhe një globalizim ekonomik me përfitime për të gjithë, dhe së bashku të mbrojmë drejtësinë ndërkombëtare dhe interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim," u shpreh Xi.
Foto nga Xinhua
Moussa Faki Mahamat tha nga ana e tij se, gjatë tetë vjetëve që ka shërbyer si kryetar i Bashkimit Afrikan, ai ka qenë dëshmitar i zhvillimit të shpejtë të marrëdhënieve midis Bashkimit Afrikan dhe Kinës. "Unë i jam mirënjohës Kinës, veçanërisht Presidentit Xi Jinping, për udhëheqjen e jashtëzakonshme në promovimin e zhvillimit të partneritetit Afrikë-Kinë dhe të krijimit të Forumit të Mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë," u shpreh ai. Për më shumë se gjysmë shekulli, vijoi Mahamat-i, Kina ka mbështetur me vendosmëri betejat e Afrikës kundër kolonializmit, imperializmit e diskriminimit racial, duke ofruar ndihmë të vlefshme për vendet afrikane në fusha të ndryshme, si infrastruktura, shëndetësia, energjetika, industria e siguria dhe duke mbështetur pjesëmarrjen e Bashkimit Afrikan në G20. Pala afrikane i vlerëson dhe shpreh falënderim të sinqertë për këto, theksoi ai, duke shtuar që Afrika i përmbahet me vendosmëri politikës së "një Kine" dhe mbështet fuqishëm Kinën në mbrojtjen e interesave të saj thelbësore. Seria e nismave madhore të propozuara nga presidenti Xi Jinping, si “Një brez, një rrugë”, Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global, janë të përkushtuara për të bërë që popujt e të gjitha vendeve të gëzojnë paqen dhe mundësitë e zhvillimit. Kjo është me rëndësi kyçe që vendet e Jugut Global të forcojnë unitetin e bashkëpunimin dhe të promovojnë një qeverisje globale më të drejtë dhe më të arsyeshme. Pala afrikane pret që Kina të vazhdojë të luajë një rol kryesor udhëheqës dhe të japë kontribute më të mëdha për ta ndihmuar Afrikën të arrijë modernizimin dhe për paqen e zhvillimin botëror, u shpreh kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan. (Çang Çuo)