foto nga CMG
Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij afrikanojugor Cyril Ramaphosa njoftuan të hënën ngritjen e lidhjeve dypalëshe në nivelin e partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkëpunimit për epokën e re.
Gjatë bisedimeve me presidentin Ramaphosa, i cili gjendet në Pekin për Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024 dhe një vizitë shtetërore, Xi tha se forcimi i solidaritetit dhe i bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe Afrikës së Jugut është në përputhje me shpresat e përbashkëta të të dy popujve e me procesin historik të rritjes së Jugut Global.
Presidenti kinez u bëri thirrje të dy vendeve t'i çojnë përpara marrëdhëniet dypalëshe me besim të ndërsjellë strategjik të nivelit të lartë dhe theksoi përpjekjet e përbashkëta për të nxitur bashkëpunimin me cilësi të lartë në kuadër të "Një brez, një rrugë", për të shtuar bashkëpunimin në ekonominë digjitale, inteligjencën artificiale e energjinë e re dhe për të forcuar shkëmbimet e bashkëpunimin lidhur me zhvillimin e burimeve njerëzore.
foto nga CMG
Xi u shpreh se Kina do t'i hapë më shumë dyert e saj për vendet afrikane dhe është e gatshme të punojë me Afrikën e Jugut dhe vende të tjera afrikane për të krijuar një impuls të ri për bashkëpunimin dhe për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë të bashkëpunimit Kinë-Afrikë.
Sa më komplekse të bëhet gjendja ndërkombëtare, aq më shumë vendet e Jugut Global duhet të mbështesin pavarësinë, të forcojnë unitetin e bashkëpunimin dhe të mbrojnë së bashku drejtësinë dhe barazinë ndërkombëtare, shtoi më tej kreu i shtetit i Kinës.
Të dy presidentët ishin të pranishëm edhe në ceremoninë e nënshkrimit të dokumenteve të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Para bisedimeve, Xi zhvilloi një ceremoni mirëseardhjeje për presidentin Ramaphosa (Wang Lei/ Artan)