Foto nga Sotnews
Shkrimtari shqiptar me famë botërore Ismail Kadare do të përkujtohet me një pikturë murale në Tiranë, njofton “RTSH”.
Iniciativa është e piktorit Helidon Haltiti, i cili drejton projektin “Mural Fest”.
Ai tha se me këtë murale përkujtohet një nga artistët shqiptarë më në zë në vend e botë.
“Ne duam ta sjellim më pranë shkrimtarin e madh, që ndërroi jetë pak kohë më parë. Një vepër tjetër përkujtimore parashikohet të ngrihet edhe në qytetin e Gjirokastrës, vendlindja e shkrimtarit. Me këto vepra Kadare do të jetë më pranë atyre që e kanë lexuar, më pranë nesh”,- tha Haltiti.
Piktura murale e Kadaresë po realizohet në një pallat afër vendit ku dikur ka qenë stacioni i trenit, si një mesazh lidhës mes Tiranës së vjetër dhe asaj të resë që po ndërtohet.
Realizimi i veprës i është besuar piktorit argjentinas Maximiliano Bagnasco, një emër i njohur në fushën e artit, i cili më parë ka realizuar në Tiranë muralen e yllit të futbollit botëror Lionel Mesit. (Fatosi)