Foto nga ATSH
Agjencia Kombëtare shqiptare e Zonave të Mbrojtura së bashku me ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për ta bërë Vjosën pjesë të trashëgimisë së mbrojtur botërore, njofton “ATSH”.
Grupi i ekspertëve ka realizuar inspektime në terren, duke përfshirë vizita në Monumentin e Natyrës “Ujërat Termale të Bënjës”, në Tepelenë, dhe në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë.
Gjatë këtyre vizitave, ata kanë vlerësuar nga afër një nga ekosistemet më unike të Europës dhe kanë zhvilluar diskutime me banorët dhe bizneset lokale për të siguruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre në këtë proces.
Ky hap i rëndësishëm vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë natyrore të vendit.
Vjosa u shpall Park Kombëtar në mars të vitit 2023.
Qeveria shqiptare ka kërkuar përfshirjen e Vjosës në listën e siteve të mbrojtura nga UNESCO, duke e vlerësuar si një prej lumenjve të fundit të egër në Europë dhe i pari Park Kombëtar i një lumi të paprekur.
Përgatitja e aplikimit është një proces i gjatë sipas standardeve të Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë dhe Shqipëria do të asistohet nga ekipi i programit “Man and Biosphere”. (Fatosi)