
Foto nga VCG
Izraeli ka njoftuar se forcat e tij ushtarake kanë gjetur trupat e pajetë të 6 pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) njoftuan se trupat u gjetën në një tunel nëntokësor në zonën e Rafahut, shkruan “RTSH”.
Pengjet u identifikuan si Carmel Gat, Eden Yerushalmi, Hersh Goldberg-Polin, Alexander Lobanov, Almog Sarusi dhe Master Sgt Ori Danino.
Sipas IDF-së, ata ishin vrarë brutalisht nga terroristët e Hamasit pak para se të arrihej të shpëtoheshin.
Në deklaratën e saj të së dielës, IDF-ja bëri të ditur se trupat ishin rikthyer në territorin izraelit.
“Ata u morën të gjithë peng më 7 tetor 2023 dhe u vranë nga organizata terroriste Hamas në Rripin e Gazës. Familjet e tyre tashmë janë njoftuar”,- thuhet në deklaratën e IDF-së.
Mes pengjeve të vrarë ishte edhe një shtetas amerikan, për të cilin reagoi edhe presidenti amerikan, Joe Biden, i cili tha se ishte i shkatërruar dhe i zemëruar nga lajmi. (Fatosi)
